Protestat, Bora Muzhaqi zbulon paketën e masave për të rinjtë: Mbështetje për qiranë, kredi me zero interes dhe punësim

Deputetja socialiste Bora Muzhaqi u shpreh se dhjetë ditët e protestës kanë nxjerrë në pah një sërë problematikash që kërkojnë zgjidhje.
E ftuar në studion e edicionit informative të lajmeve në Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, znj. Muzhaqi theksoi se të rinjtë duhet të dëgjohen, por pa iu drejtuar dhunës.
Deputetja zbuloi gjithashtu se qeveria po punon për një paketë masash për të rinjtë, ndërsa përmendi mbështetjen për qiranë, kreditë për çiftet e reja dhe programet e punësimit.
Duke komentuar edhe situatën politike, ajo kritikoi qëndrimin e liderit të opozitës ndaj akteve të dhunës, duke theksuar se përgjegjësia duhet të mbahet nga të gjithë ata që shkelin ligjin, përfshirë edhe punonjësit e policisë.
INTERVISTA E PLOTË:
Ju keni drejtuar edhe një dikaster që ka pasur lidhje me rininë dhe aktivitetin e saj. Së pari, doja t’ju pyesja: çfarë ju kanë thënë juve personalisht këto dhjetë ditë të protestës?
Bora Muzhaqi: Mendoj që këto 10 ditë i kanë thënë jo vetëm mua, por të gjithë shqiptarëve shumë gjëra. Së pari, që kemi punë për të bërë për sa i përket studentëve, ka një sërë sfidash që do duhen zgjidhur lidhur me ta. Së dyti, që duhet të jemi shumë të kujdesshëm me të rinjtë tanë, qoftë kjo në shkollë, por edhe në shoqëri dhe në familje, sepse qartazi kemi lejuar që të rinjtë tanë të përdoren. Sepse diçka që po shihet në mënyrë të vazhdueshme, kur ti sheh minorenët që janë në krye të protestës edhe që janë ata të rinjtë me kapuça në kokë duke bërë akte të dhunës, mendoj që diku, dikush, ndoshta të gjithë bashkë si shoqëri kemi dhënë një mesazh që dhuna është diçka që mund të bëhet edhe nuk e shohim si problematike. Mendoj që pikërisht këtu duhet të ndalemi dhe këtë duhet ta themi me zë shumë të lartë. Jo vetëm ne që jemi të angazhuar në politikë, por edhe ju që jeni pjesë e medias duhet thënë me zë shumë të lartë që dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje dhe nuk është asnjëherë zgjidhje për asnjë lloj gjëje. Duhet patjetër t’i rikthehemi dialogut, duhet patjetër të diskutojmë me të rinjtë. Jam e bindur dhe e di shumë mirë sfidat që ata kanë, kam takuar të rinj nga Konispoli në Tropojë gjatë punës sime të mëparshme dhe e di shumë mirë që ka sfida që duhen zgjidhur, ama sfidat nuk zgjidhen me gurë, zgjidhen duke folur e duke diskutuar. Kështu që besoj fort që të rinjtë do të gjejnë guximin që ta shprehin mendimin e tyre me zë të lartë, por ama pa dhunë dhe pa përdorimin e mjeteve që kemi parë gjatë kësaj periudhe.
Ky dialog ende nuk ka filluar, edhe pse qeveria ka bërë thirrje të përditshme e po i bën edhe kryeministri Rama. Megjithatë, kemi njoftime se janë disa lëvizje që po bëhen ndoshta në orët e fundit: qeveria është duke marrë disa masa me karakter ekonomik në lidhje me studentët. Mund ta konfirmoni dhe për çfarë bëhet fjalë?
Bora Muzhaqi: Diçka që qeveria ka bërë gjithmonë për të rinjtë është planifikimi i një sërë masave që janë bërë në mënyrë të vazhdueshme. Unë e di që tani aktualisht kolegët janë duke punuar për një paketë masash. Në dijeni time nuk është finalizuar ende paketa e masave që do të jetë në përputhje me kërkesat që të rinjtë kanë. E di që kanë shpallur disa prej tyre, si për shembull është “paketa e strehimit”, e cila i ofron mundësinë të gjithë të rinjve që të marrin një mbështetje për qiranë e tyre deri në 50 përqind të vlerës. Është një pjesë tjetër që është komponenti për çiftet e reja që i lejon mundësinë të marrin një kredi me zero interes nga bankat. Sigurisht është edhe pjesa që lidhet me ata që kanë nevoja të mëtejshme, ku është deri në 3 përqind interesi nga banka. Kjo e di që është shpallur. Megjithatë, nuk duhet harruar se ka edhe një sërë programesh që lidhen me pjesën e punësimit të të rinjve, siç është “programi i garancisë rinore” që ka filluar tashmë në të gjithë Shqipërinë dhe ka si fokus kryesor ofrimin e një oferte pune apo një mundësie trajnimi ose zhvillimi të mëtejshëm të të rinjve brenda katër muajve nga aplikimi. Ky është program i Bashkimit Evropian, aktualisht i zbatueshëm në Shqipëri. Besoj që nëse do të ketë një masë të mëtejshme nga ana e qeverisë, do të jetë në kuadër të fuqizimit të këtij programi në mënyrë që të rinjtë ta gjejnë më shumë veten të përfaqësuar në tregun e punës pasi përfundojnë shkollimin. Por nga ana tjetër, nuk mund të lë pa përmendur edhe një nga programet që kolegja përmendi përpara disa ditësh, që është edhe shkalla e meritës. Mendoj që ajo do të ketë një komponent shumë të rëndësishëm për të rinjtë sepse do të krijojë më shumë transparencë, më shumë meritokraci dhe më shumë vlerësim të aftësive që ata kanë, sidomos për pjesën e punës në administratë. Patjetër është edhe faqja e AKPA-së, puna.gov.al, e cila besoj do të ketë mundësinë të forcohet edhe më tej për t’i ofruar të rinjve mundësi punësimi jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat të targetuar sipas aftësive dhe njohurive që ata kanë. Me këto tre komponentë që unë personalisht besoj do të zhvillohen edhe më tej, qeveria do të bëjë ndryshime në kuadër të adresimit të problematikave kyçe që kemi dëgjuar në protestë. Sepse problematika e parë ju e thatë është dorëheqja, ajo nuk është fiks një kërkesë që mund të adresohet.
Protesta sigurisht e dimë që nuk ka vetëm në Shqipëri, ka në disa vende të Evropës, edhe në vendin fqinj në Itali, më tej në Francë, dhe aktet e dhunës gjithashtu janë verifikuar edhe në këto vende. Ka folur sot kancelari gjerman Merz në samitin e Malit të Zi në Budva pikërisht për dhunën, dhe mund ta citoj: ka thënë se “dhuna nuk duhet të jetë kurrë opsion për asnjë palë”*. Si përkthehet ky mesazh, nëse mund të përkthehet për ne, për Shqipërinë?
Bora Muzhaqi: Mendoj që përkthimi është shumë i qartë: që duhen marrë masa qoftë për sa i përket protestuesve që janë kthyer në dhunues, por sigurisht duke mbajtur përgjegjës edhe policët në rastet kur ata kanë tejkaluar ligjin. Kjo është shumë e qartë. Besoj edhe qeveria apo edhe kolegët e mi të mazhorancës kanë qenë shumë të drejtpërdrejtë për sa i përket kësaj pjese. Diçka që bën përshtypje në Shqipëri është fakti që jemi nga të paktat vende që kanë aktualisht protesta ku lideri i opozitës jo vetëm që nuk e dënon dhunën që po ndodh, por bën të kundërtën dhe thotë që “unë jam pjesë e dhunës dhe jam pro dhunës”. Kjo ndoshta është habia më e madhe në Shqipëri.
/vizionplus.tv



