Në Beograd të Serbisë policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të cilët kundërshtonin vendosjen e orës policore për shkak të pandemisë.

Reagimi i forcave të sigurisë ndodhi pasi protestuesit e kaluan kordonin e policisë para hyrjes në ndërtesën e parlamentit serb.

Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic tha se do të vendoset ora policore gjatë fundjaves për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Menjëherë më pas qindra protestues u mblodhën në qendër të Beogradit duke brohoritur kundër kësaj mase të izolimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ka thënë se që nga data 8 korrik, çdo tubim publik me më shumë se 5 persona do të ndalohet në Beograd.

Ai tha se dëshiron që gjatë fundjaves të ketë orë policore, por sipas tij, për këtë vendos Shtabi i Krizës.

I pyetur nëse ora policore do të vlejë vetëm në Beograd apo në tërë Serbinë, ai tha se personalisht dëshiron që masa të vlejë në të gjithë vendin, por për këtë do të njoftojë Shtabi i Krizës.

Ai tha se situata epidemiologjike me koronavirusin e ri është përkeqësuar.

“Gjendja është alarmante”, tha Vuçic, duke shtuar se spitalet janë të mbingarkuara me pacientë.

Aktualisht në Serbi, sipas presidentit serb, pothuajse 4.000 pacientë janë të shtruar në spital.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *