E mërkurë, 21 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Rama takim me drejtuesit e sistemit bankar: Krimi i organizuar dhe partitë sponsorizojnë dhunën, forca të huaja duan të destabilizojnë Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, pas episodeve të dhunës dhe dëmeve të shkaktuara gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë.

Gjatë takimit, Rama e cilësoi dhunën si të orkestruar, duke deklaruar se pas saj qëndrojnë elementë të brendshëm dhe të jashtëm, të lidhur me lëvizje ekstremiste, kriminalitetin dhe subjekte politike.

Reklamë

“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim me ju, pas një histerie dhune që krijoi një trysni shumë të madhe mbi njerëzit dhe mori peng Tiranën, duke krijuar edhe idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte përpara me flakë dhe me gurë gjithë Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se ajo që ndodhi në kryeqytet nuk ishte thjesht një reagim i qytetarëve të pakënaqur, por një dhunë e organizuar, e lidhur edhe me zhvillime të ngjashme në kryeqytete të tjera evropiane.

Reklamë

“Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, një dhunë e lidhur edhe me atë që ndodh në kryeqytetet e tjera të Evropës përmes një lëvizjeje anarkiste, neokomuniste e cila quhet Antifa. Ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës”, u shpreh kryeministri.

Rama foli gjithashtu për praninë e personave që, sipas tij, janë radikalizuar dhe bëjnë thirrje për ndëshkime ndaj atyre që i konsiderojnë kundërshtarë.

“Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin, bëjnë thirrje si në kohën e Mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që, sipas tyre, përfaqëson të keqen”, tha ai.

Një tjetër element që, sipas Ramës, ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës është kriminaliteti. Kryeministri pretendoi se grupe kriminale nga lagjet dhe periferitë janë mbledhur me sponsorizimin e krimit të organizuar dhe të subjekteve të tjera politike.

“Dhe ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i lagjeve dhe perifrerive që mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar dhe subjekteve të tjera politike. Të gjitha këto së bashku kanë një mbështjete nga forca të huaja të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe Evropën”, tha Rama.

Në përfundim, kreu i qeverisë bëri dallimin mes personave që, sipas tij, nxisin dhunën dhe qytetarëve që kanë arsye për të protestuar. Ai theksoi se studentët dhe pjesa tjetër e shoqërisë që kërkon ndryshim nuk duhen barazuar me aktet e dhunshme.

“Këta elementë të bashkuar në një front të vetëm nuk janë studentët, nuk janë pjesa e shoqërisë që ka arsyet e veta për të protestuar, për të kërkuar ndryshim. Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës”, përfundoi Rama.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.