Subscribe

Banorët e zonës së “5 Majit”, Paskuqanit, Laprakës dhe Kodrës së Priftit protestuan këtë të enjte para Parlamentit.

 

Për shkak të projekteve të rindërtimit dhe të unazës së madhe të Tiranës, banesat e tyre duhet të shemben.

 

Me pankarta në duar, ata kërkuan dëmshpërblim të plotë për shtëpitë e tyre. Nëse kjo nuk ndodh, banorët thonë se do të ngelen në qiell të hapur.

 

BANORË

1- “Nuk kam ku shkoj, ku të dal, shteti më nxjerr me forcë.”

2- “Do të dal në rrugë, s’kam ku të shkoj.”

3- “Po jetoj në rrënoja, s’kam vend tjetër. Nuk firmos as bonos, asgjë, janë gënjeshtra.”

 

Thirrja e protestuesve ishte që projektet infrastrukturore të jenë transparente dhe të mos ketë devijime, siç pretendojnë se ka ndodhur në zonën e Kodrës së Priftit.

 

BANOR

 

“Po të zbatohet projekti i vjetër, prishen vetëm shtatë shtëpi. Ndërsa këta kanë devijuar projektin dhe prishen 40 shtëpi. Rruga të kthehet në gjurmën e vjetër sepse ne ashtu i kemi ndërtuar. Nuk i bëjmë dot shtëpitë me rrota.”

 

Pasi protestuan për rreth një orë para Parlamentit, banorët e 4 zonave në kryeqytet marshuan drejt ambasadës amerikane, për të vijuar atje tubimin e tyre.

 

Nga ambasadorja amerikane kërkuan të ndërhyjë që të zgjidhet problemi i tyre.

 

“Kërkojmë nga ambasadorja Kim që të ketë reflektim nga parlamentarët që marrin ligje të gabuara. Të na trajtojnë njëherë të vetme si shtetas amerikan në Shqipëri, zonja Kim kërkojmë dinjitet, kërkojmë të jemi të denjë edhe ne të themi “o sa mirë me qenë shqiptar” dhe jo “sa mirë me qenë amerikan”. Kërkojmë ndihmën tuaj zonjë. Kërkojmë sërish ndihmën tuaj.”, .

 

Grumbullimi i tyre para selisë diplomatike bllokoi qarkullimin, duke shkaktuar kaos në trafik.

 

Më pas, banorët e zhvendosën protestën para Ambasadës së Bashkimit Evropian, ku parashtruan edhe njëherë kërkesat.

 

Protestuesit, që u mbështetën edhe nga deputetët demokratë Albana Vokshi dhe Flamur Noka, paralajmëruan se do të rikthehen me tubime të tjera në ditët në vijim.

 

Por kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale, kërkoi prej tyre të bëjnë durim derisa të përfundojnë projektet. Sipas tij, në zonën e “5 majit”, të gjithëve u është dhënë haku, madje disa do të marrin edhe më shumë seç u takon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *