E martë, 13 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Protesta para Ministrisë së Arsimit, policia: Janë shoqëruar 23 persona, 6 efektivë të lënduar

23 persona janë shoqëruar nga policia, pas tensioneve të krijuara në protestën që po mbahet para Ministrisë së Arsimit. Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se të shoqëruarit kanë kryer akte dhune si dhe kanë dëmtuar godinën e ministrisë.

Nga tensionet e krijuara, janë lënduar me sende të forta edhe 6 efektivë.

Reklamë

Njoftimi i policisë:

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit që do të zhvillohej mesditën e sotme, në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit, Policia e Shtetit hartoi një plan masash, në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde të punës.

Reklamë

Gjatë zhvillimit të tubimit, një grup pjesëmarrësish kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe më pas për të hyrë në oborr, kanë dëmtuar edhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë vijuar të thyejnë dhe të dëmtojnë me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata kanë vijuar të godasin punonjësit e Policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë sërish thirrje personave të dhunshëm që të ndalonin sulmin dhe të dilnin nga oborri i godinës së Ministrisë, por pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të Policisë.

Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.

Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë këtij tubimi.

Policia e Shtetit thekson sërish angazhimin e saj për të garantuar plotësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor dhe fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pasi do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.