Kreu demokrat, Lulzim Basha paralajmëroi të gjithë efektivët se do mbajnë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj banorëve në komisariat.
Teksa iu bashkua protestës së banorëve të Unazës së Re, Basha i bëri thirrje policisë që të mos vendoset kundër ligjit.
“Ndaj jemi në krah të këtyre banorëve dhe do të vazhdojmë të jemi në krah të tyre, për të mbrojtur të drejtën e tyre, por për të mbrojtur po kështu edhe kushtetutën dhe ligjin. Edi Rama po keqpërdor gjithçka, po keqpërdor edhe Policinë e Shtetit, të cilës dua t’i bëj një thirrje të qartë e të prerë, të mos bëhet vegël, policëve ju bëj thirrje të mos vendosen kundër ligjit, përballë banorëe, përballë qytetarëve. Po kështu, dua t’i bëj një thirrje Edi Ramës dhe qeveritarëve, t’i bëjnë mirë hesapet, kur vërsulin policinë kundër këtyre qytetarëve, sepse gjithçka, dhuna që ushtrohet ndaj tyre në protestë, dhuna dhe tortura që kanë ushtruar në komisariate kundër të shoqëruarve, që janë edhe fëmijë, 13 vjeç, por edhe nëna, edhe gra. Gjithçka është regjistruar dhe çdokush prej tyre do të mbajë përgjegjësi. Secili prej tyre me emër dhe mbiemër do të mbajë përgjegjësi. Për këtë i garantoj.”
Basha tha më tej se mosveprimi I prokurorisë I ka hapur rrugë vetëm përballjes popullore kundër qeverisë.





