Protesta në Tiranë, si paraqitet gjendja e të lënduarve në Spitalin e Traumës

Pesë persona të lënduar gjatë protestës së djeshme vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Sipas informacionit të përditësuar, dy prej tyre janë kalimtarë, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Tre të tjerët janë protestues dhe paraqiten gjithashtu në gjendje të stabilizuar.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) nuk është paraqitur asnjë protestues apo kalimtar për të marrë ndihmë mjekësore.
Të dhënat vijnë pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së djeshme në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe policisë, si dhe me persona të lënduar.




