“Protesta, javët e para ishte frymëzuese”, Fevziu në “Të Paekspozuarit”: Opozita u vendos në siklet nga pjesëmarrja

Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në Vizion Plus, gjatë bisedës me moderatorin Ylli Rakipi, u shpreh se protestat e javëve të para shënuan një manifestim të shqetësimit qytetar për situatën në vend.
Sipas tij, në fillim, protesta u ushqye nga ndjesia se shoqëria ishte e padrejtë dhe se rritja e çmimeve po rëndonte jetën e qytetarëve.
Moderatori tha se protestat e fundit e kanë vendosur opozitën në një situatë të vështirë, pasi, sipas tij, qytetarët dolën në tubim edhe pse opozita kishte protestuar më herët për çështje të ngjashme pa siguruar të njëjtën mbështetje.
Pjesë nga biseda:
Fervziu: Javët e para njëherë nuk ishin thjesht protestë. Kishte një manifestim, tre javët e para kishte një manifestim të shqetësimit të njerëzve për situatën, të cilët mendonin se kjo shoqëri ishte e padrejtë. Mendonin se kjo shoqëri po u merrte shpirtin me rritjen e çmimeve, dhe unë aty e kam menduar se ata besonin që e drejta e meritokracisë në këtë vend nuk ekziston. Kjo qe frymëzuese për shumë prej njerëzve në momentin e parë.
Rakipi: Pastaj?
Fervziu: Çfarë ishte protesta e studentëve kur dolën studentët në shesh. A kërkuan zgjidhje politike? Po, u bënë zgjidhjet politike, por ditën e dytë, se unë e kujtoj shumë mirë Ramiz Alia kërkonte takim. Studentët i thoshin: “Ne nuk zgjedhim përfaqësi, do të vijmë në stadium të negociojmë me ty”. Dhe në një moment Arben Imami u ngjit mbi tavolinë dhe tha: “Si mund të negociojmë ne njëzet mijë veta me një person? Ne tha na jepet mundësia të çojmë një përfaqësi për të negociuar me presidentin, dhe përfaqësia nuk duhet të devijojë nga pikat që do t’i jepni ju, se nuk negocion dot njëzet mijë veta. Dhe përfaqësia shkoi, negocioi, mori pluralizmin politik dhe brenda ditës u kthye në forcë politike.
Rakipi: Opozita çfarë po bën tani?
Fevziu: Protesta e vuri në siklet edhe opozitën. Opozita protestonte për gjëra të ngjashme gjatë gjithë vitit dhe nuk kishte atë mbështetje. Befas një incident i vogël i nxori në rrugë të gjithë qytetarët. Ndërkohë që kur vetë organizimin e bën opozita, nuk është më kjo përkrahje. Kjo e ka lënë pak në situatë të vështirë. E dyta, pjesa më e madhe e protestuesve vënë shenjë barazimi midis Ramës dhe Berishës. Vënë një shenjë barazimi, gjë që unë nuk e besoj se është e drejtë, por gjithsesi është e drejta e tyre. Dhe duke vënë një shenjë barazimi, ata e kanë pak të vështirë t’i qasen si opozitë protestës. Deri tani kanë deklaruar që kanë çuar njerëzit e tyre për të protestuar pa simbole politike dhe janë munduar ta mbështesin, por kaq. Kështu që edhe opozita është në një situatë të vështirë. Ndërkohë, për sa i takon parlamentit, me shifrat që ka Rama, opozita e ka shumë të vështirë të bëjë diçka.
/vizionplus.tv




