Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij para qytetarëve në protestën përpara kryeministrisë, bëri thirrje për revoltë deri në rrëzimin e qeverisë.
Sipas tij, vetëm revolta e shqiptarëve mund të rikthejë dinjitetin dhe të mbajë gjallë ëndrrën europiane të shqiptarëve.
“Revolta dhe vetëm revolta për largimin e tij është rruga drejt begatisë. Ti, Edi Rama, me një krim të vërtetë kundër njerëzimit, i le të sëmurët pa ilaçe; revolta dhe vetëm revolta për të siguruar shërbimin mjekësor. Ti i le shqiptarët në mëshirë të fatit pas përmbytjeve; revolta dhe vetëm revolta u kthen shqiptarëve qeverinë që meritojnë. Rama është armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë, nuk mjaftohet vetëm duke vjedhur. Ai tani, pasi BE-ja i tha se duhet të përballet me ligjin, ka vendosur t’ua shkëpusë shqiptarëve Shqipërinë nga BE-ja dhe të shkatërrojë ëndrrën e tyre. Revolta dhe vetëm revolta, dhe largimi i tij, është rruga për të mbrojtur ëndrrën europiane”, tha Berisha.





