Protesta e djeshme, policia: 56 në pranga, 97 të tjerë nën hetim! Mes të arrestuarve edhe të mitur

Policia e Tiranës ka arrestuar 56 persona dhe ka nisur procedimin penal për 97 të tjerë, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, disa prej pjesëmarrësve në tubim kanë hedhur gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.
Gjithashtu, ata dyshohet se kanë dëmtuar biznese, banka, sinjalistikë rrugore, prona publike e private, si dhe kanë djegur automjete të Policisë.
Gjatë incidenteve, 24 punonjës të Policisë së Shtetit janë dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Në vijim të veprimeve hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar 56 shtetas, ndërsa për 97 të tjerë ka nisur procedimi penal, pasi dyshohen për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë tubimit.
Mes personave të arrestuar janë edhe 16 të mitur, të moshave 15 deri në 17 vjeç.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




