Për mese dy orë, katër akse kryesore rrugore që lidhin Tiranën me veriun dhe jugun e vendit, u bllokuan nga opozita. Mosbindja civile krijoi kaos në qarkullim pasi makinat krijuan radhë kilometrike në Elbasan, Lushnje dhe Milot.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan protesta u zhvillua me tensione, ndërsa u shënua dhe incidenti i parë.
Në shenjë revolte qytetarët dogjën gomat në mes të rrugës, duke penguar lëvizjen e makinave.
Varfëria, papunësia dhe taksat e larta ishin ankesat kryesore të e protestuesve. Ata fajësuan kryeministrin Edi Rama për gjendjen që po kalojnë.
Ndërkohë për shkak të trafikut tejet të rënduar, një ambulancë që po transportonte një të sëmurë mbeti e bllokuar.
Pas disa minutash përpjekje protestuesit i hapën rrugën.
Edhe në Milot u dogjën goma makinash.
Banorë të katër qarqeve, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Dibër protestuan në kryqëzimin e Milotit kundër taksës së rrugës së Kombit, por edhe ndaj varfërisë, keqqeverisjes dhe rritjes së kriminalitetit.
Në mbështetje të tyre ishin edhe kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi.
Ndërsa në Lushnje protestuesit kërkuan largimin e Ramës me këngë.
Protestuesit u mblodhën në rrethrrotullimin e Cermës. Edhe këtu protestuesit nuk i kursyen akuzat ndaj qeverisë.
Dhjetëra forca policie monitoruan nga larg protestat në disa rrethe, por nuk pati asnjë moment problematik që të kërkonte ndërhyrjen e tyre.