Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka përfunduar seancën plenare për këtë të enjte për propozimin francez.

 

Deputetët do të mblidhen sërish nesër në orën 11 për të vijuar diskutimet. Gjatë paradites, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i kërkoi ligjvënësve të votojnë propozimin që zhbllokon negociatat.

 

URSULA VON DER LEYEN

 

PRESIDENTJA E KOMISIONIT EVROPIAN

Nëse vendosni të miratoni propozimin francez sot, në ditët në vijim do të mbahet një konferencë politike ndërqeveritare. Ne si komision do të fillojmë menjëherë procesin e shqyrtimit të ligjit evropian. Ky është hapi i parë i procesit.

 

Von der Leyen deklaroi prerë se gjuha dhe identiteti maqedonas nuk do të preken.

 

URSULA VON DER LEYEN

PRESIDENTJA E KOMISIONIT EVROPIAN

I kam dëgjuar me vëmendje shqetësimet lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Po e përsëris, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Prandaj në propozimin e rishikuar thuhet gjuha maqedonase, pa kualifikime shtesë nga BE-ja. Propozimi mbështet gjithashtu nacionalitetin tuaj.

 

Presidentja e Komisionit u përballë edhe me një situatë të pakëndshme. Deputetë të VMRO-DPMNE gjatë fjalës së saj i ranë bilbilave dhe vendosën në foltore një pankartë me mbishkrimin “JO”. Deputetët e VMRO-DPMNE kanë vazhduar protestën e tyre kundër propozimit edhe gjatë fjalës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

 

Ndërsa në një deklaratë për mediat, lideri i opozitës tha se negociatat nuk do të fillojnë pa u ndryshuar Kushtetuta dhe pikërisht kjo është pika me të cilën ata nuk pajtohen.

 

HRISTIJAN MICKOSKI

LIDERI I VMRO-DPMNE

Dilema me të cilën ballafaqohet VMRO-DPMNE, opinioni maqedonas dhe qytetarët është se në dokumentin “qëndrimi i përbashkët i BE-së”, thuhet qartë se Maqedonia nuk do të fillojë negociatat derisa të ndryshohet Kushtetuta. Është e vërtetë apo jo nuk e di por ata që po merren me të nuk po japin përgjigje.

 

Votimi i propozimit francez do t’i hapte menjëherë rrugën mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë që ka mbetur peng e vetos bullgare ndaj Shkupit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *