Subscribe

Nga Enkelejda Mema 

Në ditët e fundit të funksionimit të “zgjedhores” nga bisedimet me dyer të mbyllura me ekspertët e ODIHR, socialistët nxorën nga sirtari disa nga propozimet e tyre. Në projekt draftin që iu shpërnda mediave, dy çështjet për të cilat shumica socialiste shpall qëndrimin e saj janë zgjidhja për votën e diasporës dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

Për votimin nga jashtë shumica socialiste propozon që ajo të bëhet me postë dhe vullneti politik të llogaritet në qarkun më të fundit ku votuesi nga jashtë ka banuar para se të emigronte. Dhe që diaspora të votojë së pari i duhet të deklarojë adresën jashtë vendit dhe vullnetin për të marrë pjesë në zgjedhje.

Kjo praktikë në parlamentaret e fundit thotë Kristaq Kume ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhej lehtësuar pasi në parlamentaret e fundit shumë pak shqiptarë që jetojnë jashtë vendit shfaqën interes.

“Deri sot ne kemi diku te 16 mijë qytetarë që e kanë bërë një gjë të tillë, që do të thotë nëse nesër do të bëhen zgjedhjet dhe do të votohej edhe nga jashtë vendit nuk do të votojnë më sjhumë se 16 mijë qytetër kur jept si argument numri i madh i shtetasve që ne kemi jashtë, mbi 1 milionë. Këtë nuk e kanë ndryshuar. Bën që gjithë kjo zhurmë e madhe për votën nga jashtë territorit mos të prodhojë asgjë. 16, 20 apo 30 mijë vota nuk sjellin ndonjë kushedi se çfarë, veçanërisht për mënyrën si e zbatojmë ne kodin zgjedhor, në 12 qarqe. Ndryshe e bën Kosova. Mjafton të jesh zgjedhës, të bësh një kërkesë që ditën e zgjedhjeve nuk do të jesh dhe do të votosh nga jashtë vendit, dhe pas kësaj mund të votosh”, tha ish-kryetari i KQZ-së.

Propozimi i dytë i shumicës socialiste është depolitizimi i administratës zgjedhore, pra komisionerët dhe numëruesit mos të përcaktohen nga partitë politike. Dhe konkretisht PS kërkon që në qendrat e votimit, të numërimit dhe në KZAZ një pjesë e anëtarëve të emërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ata – thonë socialistët – duhet të vijnë nga radhët e administratës shtetërore me statusin e nëpunësit civil, arsimtarë, avokatë apo noterë. Ky propozim i socialistëve është kundërshtuar nga ekspertët e opozitës në tryezën me ODIHR me argumentin se një pjesë e tyre janë mbështetës dhe njerëz të partisë në pushtet. Që kjo të bëhet e mundur, Kristaq Kume thotë se janë dy kritere që rrisin besueshmërinë në këtë proces.

“Të vënë si kusht mos të kesh qenë komisioner, mos kesh qenë anëtar partie. Pa hequr këto kushte nuk bëhet”, tha kume.

Pa një propozim mbeten listat e kandidatëve për deputet. PS nuk ka bërë ende publike nëse në parlamentaret e ardhshme do të dëshirojë të shkojë me lista të hapura ose jo.

Po aq nga diskutimet me ekspertët e ODIHR dhe kolegët e partive të tjera të opozitës në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, PS kërkon rritje të fondeve publike për kandidatët e pavarur dhe se aktivitetet publike duhet të ndalohen vetëm përgjatë fushatës zgjedhore dhe jo siç është e parashikuar deri më tanë që ato ndalohen katër muaj nga dita e votimit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *