Subscribe

Kryetari demokrat Lulzim Basha ngre shqetësimin për presionin sipas tij të kryeministrit Edi Rama ndaj Gykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të mos shqyrtuar çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë së Tiranës. Në një letër që lideri i opozitës i ka dërguar Presidentit të kësaj Gjykate Guido Raimondi, më datë 7 qershor, thuhet se se këto qëndrime të Ramës janë mbajtur në Parlament, pas takimit që dy ministra të qeverisë shqiptare kanë patur me të me 9 maj në Strasburg.

“Në opinionin e Partisë Demokratike, kjo deklaratë përbën një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës tonë Kushtetuese në lidhje me antikushtetutshmërinë e ligjit të ri të pronave mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe çka është më shqetësuese, ngre dyshime në opinionin publik shqiptare mbi paanshmërinë dhe pavarësinë e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.”

Në këtë letër Basha nënvizon se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe rregullat e Gjykatës, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.

“Nuk është qëllimi apo synimi ynë të bëjmë pjesë Gjykatën në debatin e brendshëm politik shqiptar. Megjithatë, autoriteti i të gjitha trupave gjyqësore, kombëtare dhe ndërkombëtare, qëndron në zemër të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Prandaj ne shprehim besimin në paanshmërinë e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu sikurse kemi bërë gjithnjë dhe kemi besim se Gjykata do të vijojë si gjithnjë të vendosë në mënyrë të pavarur dhe profesionale, në bazë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.”

Kjo korrespodencë e kreut të PD-së është pjesë e strategjisë së Partisë Demokratike për t’ju kundërvënë nismës se qeverisë “Rama” për ligjin e ri te kthimit dhe kompensimit te pronave.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *