Subscribe

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për vdekjen e të riut Lear Kurti, i cili ndërroi jetë në mënyrë të dyshimtë gjatë shoqërimit për në komisariatin numër tre.

 

Organi akuzës njoftoi se janë marrë në administrim kartelat mjekësore të 32-vjeçarit, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga momenti ndalimit dhe deri tek dërgimi në spitalin e traumës. Po ashtu janë pyetur nga hetuesit shokët e viktimës që ishin prezent, të gjithë efektivët që e shoqëruan, por edhe mjekët.

 

Nën administrim është marrë dhe autopsia, e cila është kryer nga pesë ekspertë, nga ku rezultoi se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës kishte prani kokaine.

 

Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

 

Procedimi penal filloi pas referimit të materialeve nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa veprat penale ku po hetohet është ajo e “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënia e ndihmës”. Akuza këto që vendosin nën hetim ndonëse në mënyrë indirekte, mjekët dhe policët.

 

Sipas ekspertizës, Lear Kurti humbi jetën pasi gëlltiti disa doza kokaine, çka i shkaktuan arrest kardiak nga overdoza. Efektivët e komisariatit nr.3 ndaluan të riun në zonën e Don Boskos, i cili fillimisht tentoi që tu largohej me vrap, por pas 200 metrash u kap nga policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *