Për herë të parë në Shqipëri po hartohet një projektligj i ri për familjet kujdestare, me qëllim që fëmijët pa kujdes prindëror të strehohen në familje dhe jo në institucione rezidenciale.
Kujdesi alternativ familjar, siç njihet edhe në projektligj, u jep fëmijëve jo vetëm siguri dhe mbrojtje, por edhe mbështetjen e duhur emocionale dhe psikologjike.
“Kujdesi alternativ familjar është shumë i rëndësishëm pasi ofron një mundësi fëmijëve që të rriten në një ambient të sigurt dhe të ngrohtë familjar, në vend që të rriten në institucione. I jepet një mundësi fëmijëve që të plotësohen nevojat e tyre jo vetëm fizike, por edhe emocionale dhe psikologjike. Është një mbështetje që iu ofrohet fëmijëve të cilët nuk kanë mundësi të qëndrojnë me familjet e tyre biologjike për arsye të ndryshme, siç mund të jenë probleme shëndetësore të prindërve, probleme ligjore, varfëri ekstreme apo mungesë e kapaciteteve prindërore. Është i rëndësishëm sepse në këtë mënyrë fëmijët nuk qëndrojnë në institucione rezidenciale”, tha Megi Xhumari, punonjëse sociale.
Kujdesi alternativ në familje sipas këtij projektligji do të ndahet si kujdes alternativ profesional dhe kujdes alternativ vullnetar.
“Kjo është risia e këtij projektligji, sepse nuk ka pasur dallim deri më sot. Ka pasur vetëm shërbim kujdestarie, ndërkohë që në këtë projektligj parashikohen këto dy ndarjet. Kujdesi profesional nënkupton që familjet kujdestare, përveç mbështetjes financiare për nevojat e fëmijëve që deri më sot ka qenë 9 mijë lekë të reja në muaj, marrin edhe një pagesë shtesë si shpërblim për shërbimin që ofrojnë. Ndërkohë, kujdesi vullnetar merr vetëm mbështetjen financiare për nevojat e fëmijëve, por 9 mijë lekë të reja nuk mjaftojnë për të plotësuar këto nevoja”, tha Xhumari.
Po ashtu, familjet që vendosin të marrin nën kujdesin e tyre një ose më shumë fëmijë nga institucionet rezidenciale, duhet të plotësojnë disa kritere të rëndësishme, me qëllim garantimin e kujdesit të duhur për fëmijën.
“Familjet kujdestare, pavarësisht formës, duhet të kenë kushte të përshtatshme banimi, të ardhura të qëndrueshme për të plotësuar nevojat e fëmijës, të mos kenë probleme serioze shëndetësore që i bëjnë të paaftë për të kujdesur për një fëmijë, as probleme të shëndetit mendor, dhe të mos kenë kryer vepra penale. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me familjen biologjike të fëmijës, pasi kjo vendosje është e përkohshme dhe nuk është e përhershme si birësimi. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të pranojnë që një ditë fëmija mund të rikthehet në familjen e vet biologjike”, deklaroi Megi Xhumari.
Sipas ekspertëve, procesi i vendosjes së fëmijëve tek familjet kujdestare duhet të bëhet gradualisht për të shmangur trauma, pasi shumë prej fëmijëve kanë përjetuar ndarjen nga familja.
Po ashtu ata theksojnë se familjet ende nuk janë plotësisht të hapura për të ofruar kujdes të përkohshëm për një fëmijë, dhe kjo mbetet një sfidë që haset shpesh në praktikë.
/vizionplus.tv





