Në gjyqin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv, Partizani, këtë të hënë u kërkua shpallja e pavlefshme e provave dhe e fakteve mbi të cilat është ngritur procesi. Ish-kryeministri, Sali Berisha, i pandehur për këtë dosje nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua në seancë nga avokati Genc Gjokutaj.
“Sot përfunduam të gjithë subjektet e kësaj çështjeje dhe kemi kërkuar, sërish, pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e akteve. Kemi kërkuar të vijnë ekspertët në seancë për të shpjeguar ato akte absolutisht të pavlefshme që janë kryer”, tha Gjokutaj.
Gjatë seancës mbrojtja vendosi dy video, njërën të kryministrit Edi Rama dhe tjetra e kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, të cilat sipas avokatëve provojnë:
Njëra është në parlament, thirrja e Taulant Ballës që, sipas amanetit, duhet të çojmë Saliun në burg. Tjetra është thirrja e Edi Ramës nga Asambleja e Partisë Socialiste, ku ai kërkon që SPAK-u, i delegjitimuar sipas tij, të veprojë. As më shumë, as më pak; këto janë vepra penale – ushtrim i ndikimit hapur, përmes medias, mbi gjykatën dhe prokurorinë.
Seanca e radhës u vendos për në datën 6 mars, ora 13:30, ku pritet që SPAK i përfaqësuar nga prokurorët, Arben Kraja dhe Enekeleda Millonai t’u përgjigjen parashtrimeve të mbrojtjes. Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, një vepër sipas prokurorisë së posaçme që ai e kreu për llogari të dhëndrit të tij. Fitimi do të ishte ndërtimi i disa pallatave mbi trojet e kompleksit sportiv.





