Partia Demokratike reagoi ashpër pas lajmit se Sazan Guri dhe gjashtë persona të tjerë u proceduan penalisht pas një proteste të organizuar në sheshin “Skënderbej”.

Me anë të një deklarate për mediat, selia blu dënoi këtë akt dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron si diktator.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave kushtetuese, të kufizuara padrejtësisht kaq gjatë nga qeveria. Ngritja e zërit nga disa aktivistë, që nuk pajtohen me vendimet antikushtetuese të parlamentit ilegjitim për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, është garanci për themelin e çdo shoqërie demokratike.  Urdhrat e Edi Ramës për të përndjekur kundërshtarët e vendimeve të tij antikushtetuese e shndërrojnë Shqipërinë nga një vend kandidat për Bashkimin Europian në një vend që drejtohet prej një regjimi dhe kryeministër autoritarist. Sot, qytetarëve po u cenohen të drejtat me lehtësi nga regjimi i Edi Ramës, sepse kryeministri anti-shtet po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim kontrollin politik të saj.”

Këtë të premte, Policia e Tiranës njoftoi për procedimin dhe gjobitjen e protestuesve. Ndëshkimi i tyre erdhi pasi tubimet në kohë pandemie nuk lejohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *