Pas shqetësimeve se mijëra zgjedhësve po u mohohet e drejta e votimit në Himarë, kreu i komisionit qendror të zgjedhjeve Ilirian Celibashi ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve.
Celibashi konfirmoi se janë rreth 6 mijë zgjedhës që nuk mund të votojnë, pasi u ka skaduar vlefshmëria e mjeteve të identifikimit, por ai tha se kjo nuk është një kompetencë e KQZ-së
Lexo edhe :
Related Posts
“Është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues që dokumenti i identifikimit ose i ka skaduar ose i skadon në ditën e sotme. E njëjta gjë ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, por në atë kohë pati një vendim dhe ata u lejuan të votonin. Në këtë rast nuk kemi pasur asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare nga partitë politike, në ditët e fundit kemi pasur një shqetësim të ngritur në mënyrë informale”, tha Celibashi, duke ripërsëritur qëndrimin se kjo çështje nuk i përket KQZ-së.
Ende nuk dihet me saktësi se sa është numri i votuesve që janë paraqitur dhe nuk kanë mundur të votojnë.
Gjatë një prononcimi për mediat, Celibashi tha se nuk ka patur komunikim me strukturat e qeverisë për këtë çështje
“Është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve, pra kanë ose jo interes ata për të votuar dhe për të pasur një dokument të vlefshëm identifikimi. Ky proces më pas i përket kandidatëve dhe subjekteve të interesuara”, tha ai.
Kreu i KQZ tha se në procesi zgjedhor ka shkuar qetë dhe nuk ka patur problematika. /vizionplus.tv