Policia e Gjirokastrës ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për drejtuesit e mjeteve, të cilët qarkullojnë në aksin Gjirokastër-Tepelenë.
Policia njofton se si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe guresh, për shkak të kushteve atmosferike me reshje të dendura shiu, aksi rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, konkretisht në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, funksionon me një sens lëvizjeje.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Strukturat e Emergjencës dhe me ato të ARrSh-së po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës.
Gjithashtu, është rritur prezenca e shërbimeve me uniformë dhe me automjete të pajisura me fenelina, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe ofrimin e ndihmës përdoruesve të rrugës, në rast nevoje.
Policia e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi ka prezencë të ujit në akset rrugore.
Gjithashtu, apelon për vëmëndje të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.
Për çdo nevojë ose problematikë, telefononi në numrin pa pagesë 112!/vizionplus.tv





