Për disa orë Parku Rinia në kryeqytet u kthye në një panair, ku dhjetëra nxënës të shkollave të ndryshme në kryeqytet paraqitën punimet e tyre me materiale të ndryshme.

 

Nën moton “Ju mund”, këta nxënës u bënë pjesë e konkursit, për idenë më të mirë për diferencimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre.

 

Teksa pa punimet e nxënësve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ka ardhur koha ti jepet fund shitjes së produkteve ushqimore në rrugë.

 

 “Një mentalitet i pastër, një kulturë që e do qytetin me higjienë, që kultivon ndjenjën e riciklimit dhe që e fillon këtë që nga bankat e shkollës, është një qytet që ka të ardhme. Ka disa të rritur që çfarëdo që të bësh thonë: ‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Ama, të gjithë e dimë se siç kemi rregulla në shtëpitë tona, ka rregulla edhe në qytet. Pra, trotuaret janë për të ecur, tregjet janë për të shitur; plehrat janë për t’u hedhur në kosh, semafori është për të respektuar qarkullimin, hapësira publike është për t’u shijuar nga të gjithë dhe korsia e biçikletave është vetëm për dyrrotakët”.

 

Veliaj u ndal edhe tek kontributi mësuesve, që sipas të cilit kanë një rol shumë të rëndësishëm në jetën e një fëmije.

 

“Unë e di sa e vështirë është të jesh mësues. Në fakt një mësues nuk është vetëm dikush që jep një lëndë mësimi, është edhe psikolog, edhe mentor, edhe këshilltar, edhe dikush që të dëgjon, është një shpatull ku mund të mbështetesh, edhe dikush që të jep dorën. Ndaj kam shumë respekt për mësueset sepse nuk njoh një njeri që mund të transformojë jetën e një fëmijë, një të riu, më shumë se sa një mësues apo mësuese”.

 

Më pas, kryebashkiaku i Tiranës shpërndau çmimet fituese për shkollat e kryeqytetit, të cilat kishin paraqitur idenë dhe punimet më të mira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *