Subscribe

Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës dënimin me 10 vjet heqje lirie për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, për inceneratorin e Fierit, ndërsa për vartësin e tij, ish-sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, Alqi Bllako, SPAK kërkoi 7 vjet burg.

 

Për pronarin e inceneratorit, Klodian Zoto, prokuroria rëndoi pozitën e tij, duke ngritur një akuzë të re, atë të mashtrimit, e cila e çon dënimin në 12 vjet burg.

 

Prokurori i posaçëm, Dritan Prençi, ashpërsoi edhe dënimin e ish-deputetit socialist Alqi Bllako, duke iu rikthyer akuzës fillestare që rëndonte mbi të, asaj të korrupsionit në cilësinë e funksionarit të lartë shtetëror, si numri dy i ministrisë së Mjedisit. Kjo nuk u prit mirë nga avokati Sokol Hazizaj, i cili e konsideroi ndryshimin e akuzës si antikushtetues dhe të padrejtë.

 

SOKOL HAZIZAJ

AVOKAT

Akuza e ngritur nga organi procedural i hetimit kanë qenë të padrejta. SPAK po mban një qëndrim joligjor, jo në përputhje me kodin e procedurës penale dhe jo kushtetues. Unë e kam deklaruar që SPAK vepron jo referuar vendimeve të gjykatës. Nëse Gjykata nuk mban një qëndrim të drejtë, gjykata e seancës paraprake del jashtë lojë. Nuk dha asnjë argument, përveçse kryeneçësisë së organit procedural të hetimit.

 

Prokurori kërkoi ndryshimin e akuzës edhe për biznesmenin Arben Dervishaj, që kishte për detyrë të mbikëqyrte punimet e inceneratorit, duke e akuzuar për korrupsion në sektorin publik dhe jo në atë privat, duke kërkuar një dënim me 4 vjet burg.

 

Të njëjtin dënim SPAK kërkoi edhe për Regan Merdanin, Gentian Ziflën, Pëllumb Abeshin, Erjon Muratajn dhe Sabina Cenamerin.

 

Për pronarët e kompanive koncesionare, mbi të cilat është ngritur akuza e skemës korruptive me impiantin e djegies së plehrave në Fier, SPAK kërkoi përkatësisht për Loran Dushën 8 vjet, Arbër Denizin dhe Juri Imerajn nga shtatë vjet.

 

Në fund, nga tre vjet burgim, akuza kërkoi për anëtarët e komisionit të prokurimit, Arjola Kodra, Florian Muçaj dhe Azem Shatëri.

 

Të 15 të pandehurit për djegësin e Fierit përfitojnë uljen e dënimit me 1/3, për shkak se është pranuar gjykimi i shkurtuar.

 

Në 19 qershor, pritet qe gjykata të shprehet nëse do të pranojë ndryshimin e akuzave për Bllakon, Zoton dhe Dervishajn, ndërkohë që pritet edhe fjala e mbrojtjes.

 

PRETENCA PËR INCENERATORIN E FIERIT

Lefter Koka 10 vjet
Alqi Bllako 7 vjet
Klodian Zoto 12 vjet
Loran Dusha 8 vjet
Arbër Denizi 7 vjet
Juri Imeraj 7 vjet

Regan Merdani 4 vjet
Gentian Zifla 4 vjet
Pëllumb Abeshi 4 vjet
Erjon Murataj 4 vjet
Sabina Cenameri 4 vjet
Arben Dervishaj 4 vjet

 

Arjola Kodra 3 vjet
Florian Muçaj 3 vjet
Azem Shatëri 3 vjet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *