Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në kuadër të vizitës së tij zyrtare dy ditore  në Kroaci ka takuar homologen e tij kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç.

 

Në një konferencë të përbashkët për shtyp Kitarović tha se fokusi i bisedimeve ishte përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bëri të qartë se nuk kanë folur për të kaluarën.

 

“Gjatë takimit biseduam për shumë tema dhe çështje të hapura dhe kemi rënë dakord që të vazhdojmë bisedimet. Ne nuk kemi folur sot për të kaluarën e përgjakshme mes dy vendeve, por prekët tema të tjera, përfshirë këtu edhe çështjen e përcaktimit të kufijve. Për këtë çështje ne mbartim qëndrime të ndryshme por dua të qartësoj se nëse nuk arrijmë një marrëveshje atëherë ajo do të gjykohet në institucionet ndërkombëtare. Angazhimi ynë mbetet të zgjidhim atë që na ndan.”

 

Ndërsa Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e vlerësoi ftesën e bërë si një lëvizje jo të lehtë politike dhe u shpreh I hapur për të shtuar  përpjekjet për të zgjidhur problemet.

 

“Biseduam për çështje rajonale, por kemi ende çështje të hapura dhe kjo është një nga arsyet pse mendoj se serbët dhe kroatët do të duhet të flasin seriozisht. Për kufijtë ne ndajmë qëndrime të ndryshme por që do të përpiqemi ti zgjidhim me dialog gjatë dy viteve të ardhshme, nëse jo, do të shkojmë në gjyqësor. Serbia dhe Kroacia duhet të kenë marrëdhënie më të mira në të ardhmen, për të mirën e dy vendeve por edhe të rajonit “.

 

Presidenti Vuçiç u takua edhe me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç. Në një postim në twitter Vuçiç bëri të ditur se diskutuan për të drejtat e minoriteteve dhe të tjera çështje që janë në interes të të dyja vendeve.

 

Pas takimit me Plenkoviç, presidenti serb u prit edhe nga kryetari i Parlamentit Gordan Jandroković.

 

Vizita e Vuçiç në Zagreb është pritur edhe me protesta nga disa veteran të cilët mendojnë se presidenti serb duhet të kërkojë falje për gjenocidin e vitit 1999.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *