Presidenti Donald Trump përshëndeti të premten progresin drejt një vaksine efikase kundër koronavirusit, në fjalën e tij të parë publike pas gjashtë ditësh, që kur mediat projektuan ish-Nënpresidentin Joe Biden si fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

 

Ai e quajti punën për vaksinën mobilizimin më të madh në historinë amerikane të prodhimit të vaksinave, duke vënë në dukje se zakonisht duhen mbi tetë vjet për të prodhuar një vaksinë efikase.

 

Të hënën, gjigandi farmaceutik Pfizer njoftoi se kishte krijuar një vaksinë që ishte 90% efektive kundër koronavirusit, duke e shtyrë kështu Presidentin Trump të postonte në Twitter: “LAJME KAQ TË MREKULLUESHME”. Vaksinës kandidate i duhet ende të përmbyllë testimin dhe të marrë aprovimin nga Administrata amerikane e Barnave dhe Ushqimit.

 

Në fjalën e tij, Presidenti Trump për herë të parë pranoi pasigurinë në lidhje me administratën e ardhshme, duke thënë se administrata e tij nuk do të urdhërojë një izolim tjetër “në asnjë rrethanë”, por duke sugjeruar se zoti Biden do ta urdhërojë një të tillë nëse ai do të jetë në pushtet.

 

“Shpresojmë se çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kush e di se cila administratë do të jetë, unë mendoj se koha do ta tregojë, por unë mund t’ju them se kjo administratë nuk do të shkojë drejt izolimit”, tha Presidenti Trump.

 

Zoti Biden ende nuk ka thënë nëse do të urdhërojë një izolim për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.

 

Presidenti Trump ka bërë vetëm një paraqitje tjetër publike që kur media projektoi zotin Biden fitues të zgjedhjeve presidenciale. Të mërkurën, ai shkoi në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të shënuar Ditën e Veteranëve, por nuk mbajti fjalim.

 

Presidenti ka refuzuar ta pranojë rezultatin, duke përmendur parregullsi në disa shtete të lëkundshme. Në një shtet të betejës elektorale, Xhorxhia, po rinumërohen votat me dorë dhe presidenti ka ngritur padi në disa shtete të tjera ./ VOA

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *