Kreu i shtetit, Bajram Begaj, ka pritur këtë të enjte në një vizitë zyrtare homologun e tij polak, Andrzej Duda.

 

Pas takimit me fokus Forumin Ekonomik, Shqipëri-Poloni, dy homologët, Begaj dhe Duda, zhvilluan një konferencë për median.

 

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe theksoi se ka ende hapësira të tjera për bashkëpunim.

 

Ai shtoi se dy vendet u dakordësuan për forcim të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fushën ekonomike, ndërsa nënvizoi se garantoi homologun se Shqipëria është një vend i sigurt për të investuar.

 

Gjithashtu, Begaj tha se kërkoi mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

 

“Vlerësova marrëdhëniet e mira politike e miqësore të rikonfirmuar edhe përmes kësaj vizite te mikut Duda në Tiranë. Pavarësisht marrëdhënieve diplomatike të lidhura 86 viteve më parë, marrëdhëniet mes dy popujve tanë datojnë që në mesjetë. Ramë dakord për të dhënë kontributin në nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimet, ka shumë fusha të tjera ku mund të bëhet edhe më shumë. I shpreha mirë për solidaritetin që treguan për kapërcimin e dëmeve të tërmeti shkatërrimtar gjatë tërmetit dhe pandemisë.

 

Me homologun Duda u ndalëm tek bashkëpunimi ekonomik e tregtar i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve. E sigurova presidentin Duda se Shqipëri përbën një ambient miqësor dhe të sigurt për investitorët polakë. Vlerësuam bashkëpunimin në turizëm, Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim të mirë në fushën e mbrojtjes.

 

Shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor. Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kërkova mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Begaj.

 

Nga ana tjetër, presidenti polak,  Andrzej Duda, konfirmoi se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet forcuar, ndërsa falenderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës.

 

Në të njëtën kohë, presidenti polak shtoi se mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

“Dua ta falënderoj presidentin Begaj për ftesën për një vizitë këtu në Tiranë.  Është e para vizitë shtetërore e një Presidenti polak prej 20 vitesh. Është një ngjarje e rëndësishme, shpresojmë që të jetë moment rigjallërimi të marrëdhënieve polako-shqiptare. Fillim i një bashkëpunimi dinamik me Shqipërisë. Shpresojmë që së shpejti Shqipëria të jetë anëtarë e Bashkimit Evropian dhe së shpejti të jemi bashkë në këtë familje të madhe.

 

Dua të falënderoj Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës, për pozicionin e saj të qartë politik ndaj agresionit rus në Ukrainë. Shqipëria ka pasur vepra konkrete kundër këtij agresioni që cenon të gjitha parimet ndërkombëtare. Ky agresion duhet të mbarojë menjëherë me largimin e forcave ruse nga territori i Ukrainës. Territori i Ukrainës duhet t’i kthehet i plotë Kievit. Kështu duhet të jetë përfundimi i kësaj lufte.

 

Ne ju falënderojmë për praninë ushtarake në krahun lindor të NATO. Jemi bashkë në një aleancë për sigurinë. Deklarova edhe mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ne theksojmë në mënyrë të qartë, lidhur me afrimin e Presidencës së Polonisë në BE, se prioritet i rëndësishëm është anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë. Shqipëria është avangardë në ecjen drejt Bashkimit Evropian, në përpjekjet e e saj për të realizuar të gjitha reformat. Shqipëria po zhvillohet dhe nuk kam asnjë pikë dyshimi që Shqipëria e meriton anëtarësimin sa më shpejt”, tha Duda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *