Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, tha të enjten se nisma Ballkani i Hapur, është e kotë, nëse Kosova nuk përfshihet si palë e barabartë në të.

 

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po qëndron në një vizitë zyrtare gjatë së cilës zhvilloi takime me udhëheqës të institucioneve të Kosovës.

 

“Nëse nisma është me qëllim të mirë, atëherë në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet e këtij rajoni, Kosova është shtet dhe është njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, nëse është e kundërta atëherë çështja është se cilat janë motivet prapa kësaj”, tha ai duke nënvizuar se nëse lihet anash Kosova atëherë dihet qartë se cilat janë motivet prapa kësaj nisme.

 

Presidenti kroat tha se qeveria serbe është më shumë e interesuar të qëndrojë në pushtet dhe nuk e ka përparësi integrimin në Bashkimin Evropian.

 

“Serbia duhet të vendosë vetë se çfarë dëshiron. Ndërsa këto lëvizje me nismën Ballkani i Hapur, epo nuk është më viti 1914. Në rregull le të lëvizin njerëzit lirshëm, por pa Kosovën qëllimet janë të qarta pra nuk janë edhe aq të njerëzishme”, tha ai.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se alternativa e vetme për Kosovën është procesi i Berlinit, si një nismë gjithpërfshirëse dhe ku të gjitha shtetet janë të barabarta.

 

“Në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit, në momentin që Serbia e njeh Kosovën si realitet i pakthyeshëm, si realitet që po ecë përpara dhe assesi nuk do të kthehet prapa, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e (Aleksandër) Vuçiçit se i intereson bashkëpunimi rajonal”, tha presidentja Osmani.

 

Presidentja Osmani tha militarizimi i Serbisë tregon se cili është qëllimi i tij i vërtetë.

 

Presidenti kroat tha se nuk sheh rrezik për Kosovën nga armatosja e Serbisë viteve të fundit.

 

“Nuk është duke ndodhur asgjë përveç se shteti fqinj është duke u armatosur, me armë më të cilat mund të zhvillojë një luftë jo më gjatë se 15 minuta derisa nuk përfshihet NATO apo dikush tjetër dhe sa i përket kësaj nuk shoh ndonjë rrezik për Kosovën, nuk ka”, tha presidenti kroat, i cili do të takojë gjatë vizitës në Kosovë rreth 130 ushtarë të vendit të tij që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *