Subscribe

Nga Vlora, presidenti Ilir Meta deklaroi se në votimet e 25 prillit do të ketë pjesëmarrje historike.

Ai paralajmëroi se cilido që do të tentojë të pengojë shqiptarët për të mos votuar, duhet “të lidhë kokën me peshqir”, pasi sipas tij, e gjithë Shqipëria do ngrihet në këmbë.

“Me pasaporta, me karta, me shpata shqiptarët do shkojnë të votojnë më 25 prill, kjo histori ka përfunduar. Kushdo që do t’i demoralizojë, të lidhë kokën me peshqir. Pjesëmarrja do jetë historike. Shqipëria do ngrihet më këmbë. Shqiptarët e kanë kuptuar se fuqia e tyre është vota. Vota është e drejta e pronës, e drejta për punë, e drejta për të përballuar një jetë me dinjitet, për t’u përfshirë nga pikëpamja sociale dhe ekonomike. Çdo përpjekje për të demoralizuar shqiptarët është e dështuar. Të gjithë të shkojnë dhe të votojnë për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për dinjitetin e tyre, kundër shpopullimit të Shqipërisë. Është një dramë e madhe”, tha Meta.

Kreu i shtetit iu bëri thirrje partive politike që të mos mbajnë në listat e tyre persona pa integritet.

Sa iu përket akuzave të kryeministrit Edi Rama se Presidenti shkon në Vlorë fshehurazi natën për të bërë fushatë, ai  tha se gazetarët mund të verifikojnë çdo takim që ai ka zhvilluar me banorët.

Po ashtu, ai iu përgjigj edhe deklaratave të Ramës, i cili tha më parë se “Presidenti ka ikur nga trutë”. Meta theksoi se do t’i kërkojë Parlamentit të ardhshëm që të gjithë të kontrollohen nga shëndeti mendor para se të marrin detyrën.

“Rama në vend që të distancohej thotë presidenti nuk është në rregull nga trutë unë do t’i kërkoj parlamentit të ardhshëm që të miratojë një ligj, edhe në Kushtetutë të kemi një nen, të kontrollohen të gjithë psiqikisht, janë në rregull apo jo nga trutë para se të marrin detyrën. Nga presidenti, kryeministri tek të gjithë me radhë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *