Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, priti në një takim Presidentin e INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale në luftën kundër krimit të organizuar.

Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku falënderoi Presidentin e INTERPOL-it për vizitën dhe mundësinë që Policia e Shtetit të mikpriste Konferencën e 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën, që zhvilloi punimet në Tiranë. Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e njohu z. Ahmed Naser Al-Raisi me sfidat e Policisë së Shtetit dhe angazhimin e saj për garantimin e rendit e sigurisë dhe goditjen e krimit.

Në mënyrë të veçantë, z. Rrumbullaku nënvizoi bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe INTERPOL-it. “Ky bashkëpunim, i konsoliduar në shkëmbim informacioni në kohë shumë të shpejtë dhe operacione të përbashkëta, duhet të shkojë edhe më tej, duke u fokusuar edhe në përpjekjen madhore të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë për vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku. Ai shtoi se, për Policinë e Shtetit është prioritet shumë i rëndësishëm dorëzimi në duart e drejtësisë i personave të kërkuar për krime të rënda dhe me rrezikshmëri të lartë, si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet ku ata strehohen.

Presidenti i INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, duke nënvizuar organizimin e shkëlqyer dhe suksesin e Konferencës së 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën, që zhvilloi punimet në Tiranë, vlerësoi arritjet e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe energjinë, angazhimin e profesionalizmin e saj. Ai u shpreh se, bashkëpunimi, ndërveprimi dhe shkëmbimi intensiv i informacioneve, si në aspektin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, do të ndihmojnë së tepërmi në vendosjen përpara drejtësisë të personave të kërkuar ndërkombëtarisht.

Policia e Shtetit dhe INTERPOL-i ranë dakord të rrisin bashkëpunimin dhe programet e përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar ndërshtetëror në të gjitha format e tij, në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *