E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Presidenti Begaj në Tetovë: Universiteti, nga histori rezistence drejt standardeve më të larta

Ilustrim · Vizion Plus

Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku vlerësoi rolin e këtij institucioni në hapësirën shqipfolëse dhe në formimin e elitave të reja akademike dhe profesionale.

Gjatë fjalës para pedagogëve dhe studentëve, ai theksoi se arsimimi në shqip është një çështje cilësie dhe bashkëpunimi, duke nënvizuar rëndësinë e thellimit të partneriteteve mes universiteteve shqiptare përmes shkëmbimeve studentore dhe projekteve të përbashkëta kërkimore.

Presidenti Begaj e cilësoi Universitetin e Tetovës si një institucion të ndërtuar mbi rezistencën dhe sakrificën, duke kujtuar rrugëtimin e tij drejt legalizimit pas Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, sfida e radhës për universitetin mbetet forcimi i autonomisë reale, të cilën e përkufizoi si kusht për dinjitetin dhe zhvillimin institucional.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se universiteti duhet të prodhojë mendim strategjik dhe të kontribuojë në kohezionin social dhe shumëetnik, ndërsa u bëri thirrje studentëve që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e themeluesve dhe pedagogëve që kanë mbështetur institucionin ndër vite, duke theksuar se e kaluara e tij është histori rezistence, ndërsa e ardhmja duhet të jetë histori ekselence.

Gjatë vizitës u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Tetovës nga rektorët Artan Hoxha dhe Jusuf Zejneli, me synim zgjerimin e projekteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh