Përplasje në Kuvend mes Alizotit dhe Ballës! PD akuzon mazhorancën për kufizim të protestave, Balla: Ju jeni nxitës të dhunës

Debati për aktin normativ që lidhet me tubimet ka shkaktuar përplasje në Kuvend mes deputetit të Partisë Demokratike, Tomor Alizoti dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Alizoti kundërshtoi aktin normativ, duke e cilësuar atë si një përpjekje të mazhorancës për të kufizuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Sipas tij, shqiptarët kanë shumë më tepër arsye për të protestuar sesa qytetarët e vendeve të tjera evropiane.
Duke iu referuar situatës politike dhe akuzave ndaj përfaqësuesve të qeverisë, Alizoti ngriti pikëpyetje se si mund të kufizohet e drejta e protestës në një kohë kur, sipas tij, një pjesë e drejtuesve të mazhorancës janë nën hetim, në arrati apo në burg.
Ai e cilësoi aktin normativ si një turp dhe një dëm për demokracinë, duke akuzuar qeverinë se ka frikë nga protestat.
“Arritja më e madhe e Shqipërisë ka qenë pas një sistemi totalitar, i cili e kalon Korenë e Veriut, akti normativ për tubimet. Nëse ka arsye në Shqipëri për të protestuar, këto janë 1000-fishi i çdo evropiani. Nëse një francez ka 100 arsye për të protestuar, një shqiptar ka 1000 arsye për të protestuar. Nëse merrni Italinë, prapë shqiptarët kanë mijëra arsye për të protestuar.
Si mundet një qytetar shqiptar të shikojë që kupola qeverisëse, ish-zëvendëskryeministra, disa janë në arrati dhe disa janë për t’u ndjekur dhe për t’u futur në burg, dhe gjysma e qeverisë është në burg e pjesa tjetër shkon në burg? Si mund ta ndaloni me një akt normativ qytetarin të protestojë?
Ju bëni akte normative për të ndaluar protestat. Demokracia ka vetëm një element që është protesta. Ju keni frikë nga protesta, por protesta e mban gjallë demokracinë”, tha Alizoti.
Në përgjigje të Alizotit, Taulant Balla akuzoi Partinë Demokratike se nuk ka kontribuar në miratimin e ligjeve që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe reformat e përbashkëta. Ai kërkoi që opozita të distancohet nga dhuna dhe retorika agresive.
Balla akuzoi gjithashtu PD-në se është kthyer në një “fabrikë prodhimi artizanal molotovësh”, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë instrument i demokracisë.
“Mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë puna për të çuar përpara të gjitha reformat. Deri më sot PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat tona të përbashkëta, të përafrimit të legjislacionit dhe plotësimit të reformave që Shqipëria ka në këtë fazë historike.
Koha është tani për t’i lënë mbrapa diskutimet pa vlerë, retorikën agresive, dhunën. Shqiptarët nuk i merrni dot për budallenj. Dhunën në rrugë kundër institucioneve e frymëzon vetëm një njeri dhe ai është sekretari i partisë brenda jush. Distancohuni nga dhuna!
E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh. Dhuna nuk është argument, dhuna nuk është instrument. Demokracia ka instrumentet e veta. Demokracia ngrihet mbi vota.
Ne duhet të ecim përpara me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore e përfundon mandatin më 30 nëntor. Koha kur ju mund të mbanit peng reformën zgjedhore ka përfunduar më 11 maj 2025”, tha Balla.




