E hënë, 16 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Presidenca irlandeze kërkon shkurtimin e periudhës së provës për anëtarët e rinj të BE

Presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Europian ka propozuar shkurtimin nga 15 në 10 vjet të periudhës së provës për shtetet që do të anëtarësohen në BE, përfshirë Shqipërinë. Propozimi, i cili ka marrë mbështetje të gjerë nga vendet anëtare, parashikon mundësinë e zgjatjes së kësaj periudhe edhe për pesë vjet të tjera.

Sipas një dokumenti të siguruar nga Euronews, qeveritë europiane po diskutojnë rregullat e reja që do të zbatohen për vendet që i bashkohen unionit, me qëllim garantimin e respektimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit edhe pas anëtarësimit.

“Presidenca ka propozuar një periudhë dhjetëvjeçare, me mundësinë e zgjatjes edhe për pesë vjet. Megjithëse ka mbështetje të gjerë për këtë propozim, një numër shtetesh anëtare vazhdojnë të kërkojnë një periudhë më të gjatë prej 15 vjetësh, duke argumentuar se nevojitet një mekanizëm që të parandalojë ose t’u përgjigjet shkeljeve të mundshme për një kohë më të gjatë pas anëtarësimit”, thuhet në dokument.

Shkurtimi i propozuar është një zhvillim pozitiv për vendet kandidate, pasi kufizon në 10 vjet periudhën fillestare gjatë së cilës ato do t’u nënshtrohen masave të posaçme mbrojtëse.

Reklamë

Këto masa u propozuan nga Komisioni Europian në fillim të tetorit, për të shmangur situata në të cilat një shtet, pasi anëtarësohet në BE, fillon të shkelë parimet demokratike apo të cenojë pavarësinë e institucioneve.

Një nga masat më të forta që po diskutohet është pezullimi i së drejtës së votës për vendet e reja anëtare në rast shkeljesh veçanërisht të rënda.

Megjithatë, qeveritë europiane nuk kanë arritur ende një marrëveshje për këtë çështje. Ndërsa shumica e vendeve e mbështesin mundësinë e pezullimit të votës, një numër i vogël shtetesh e kundërshtojnë.

Pesë vende themeluese të Bashkimit Europian, të udhëhequra nga Holanda, kërkojnë masa më të forta për të parandaluar shfaqjen e një rasti të ngjashëm me atë të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, qeveria e të cilit është përplasur vazhdimisht me Brukselin për çështje të shtetit të së drejtës.

Nga ana tjetër, grupi i vendeve të njohura si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku bën pjesë edhe Italia, kërkon një qasje më të përshtatur, në mënyrë që anëtarët e rinj të mos trajtohen ndryshe nga vendet që janë tashmë pjesë e BE-së.

Një tjetër pikë diskutimi është mënyra se si do të merren vendimet për vendosjen e masave ndëshkuese.

Komisioni Europian ka propozuar që procedura të aktivizohet automatikisht, përveç rasteve kur një shumicë e cilësuar e vendeve anëtare e kundërshton. Disa shtete e mbështesin këtë mekanizëm, ndërsa të tjera kërkojnë unanimitet për vendime kaq të rëndësishme.

Si kompromis, presidenca irlandeze ka propozuar që vendimet të merren me shumicë të cilësuar.

BE diskuton edhe mundësinë e shtyrjes së anëtarësimit

Përveç periudhës së provës pas anëtarësimit, Komisioni Europian ka propozuar edhe një mekanizëm monitorimi për vendet kandidate përpara se ato të bëhen zyrtarisht pjesë e unionit. Ky mekanizëm synon të sigurojë që vendet të vazhdojnë të përmbushin angazhimet e tyre për respektimin e vlerave europiane, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit deri në momentin e anëtarësimit.

Disa shtete anëtare kërkojnë që monitorimi të përfshijë edhe përputhjen me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, për të shmangur afrimin e vendeve kandidate me fuqi të huaja që bien ndesh me interesat europiane.

Në rast shkeljesh të rënda, BE-ja mund të vendosë shtyrjen e anëtarësimit. Megjithatë, edhe për këtë mekanizëm ka mosmarrëveshje.

Disa vende kërkojnë që shtyrja të zgjasë maksimumi nga një deri në tre vjet, ndërsa të tjera propozojnë që ajo të vazhdojë derisa vendi kandidat të ketë korrigjuar problemet e konstatuara. Po ashtu, vendet anëtare po diskutojnë masa mbrojtëse për sektorë të veçantë. Edhe në këtë rast, presidenca irlandeze ka propozuar një periudhë 10-vjeçare, me mundësi zgjatjeje edhe për pesë vite të tjera, propozim që ka marrë mbështetje të konsiderueshme.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së pritet t’i diskutojnë këto propozime të mërkurën, më 18 nëntor. Diskutimet do të shërbejnë për përgatitjen e qëndrimit të përbashkët mbi garancitë që do të përfshihen në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.