Subscribe

Në akuzat e ngrituara nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre që çuan në pranga ish Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, mazhoranca qeverisëse nuk sheh asnjë përgjegjësi.

 

Zëvendës- kryeministri Arben Ahmetaj, si një nga të kallëzuarit penalisht në SPAK nga opozita për përfshirje në të ashtuquajturën afera e inceneratorëve e shikon atë vetëm si personale.

 

ARBEN AHMETAJ

ZV/KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive, as politike.”

 

Prangosja e Lefter Kokës për Lëvizjen Socialiste për Integrim, që në SPAK brenda tetë muajve kallëzoi penalisht jo vetëm ish deputetin dhe ministrin e tyre por edhe zyratarë dhe ish të lartë të pushtetit vendor dhe atij ekzekutiv, është i pamjaftueshëm për zbradhur një nga aferat më të mëdha korruptive, atë të inceneratorëve.

 

SILVA CAKA

ANETARE E KRYESISE, LSI

“Sa më shpejt që ndodhen përpara një akuze penale të gjithë ata që janë të përlyer në këto afera, aq më mirë është për të gjithë ne. Është një mundësi shumë e mirë edhe për organet e reja të drejtësisë që të tregojnë që realisht kanë një vullnet për të çuar gjerat deri në fund, dhe të mos merren me korrupsione 50-100 mijë lekë të vjetra. Pra, është marrë më zyrtarë të një niveli që nuk i kanë shkaktuar ndonjë dëm të jashtëzakonshëm buxhetit të shtetit, ndërkohë që flasim për qindra milionë euro.”

 

Emrat e kallëzuar penalisht nga LSI mes të cilëve Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, kryebashkiakët e Tiranës dhe Fierit Erion Vleiaj dhe Armando Subashi dhe ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, aktualisht deputet i PS-së, nuk janë të vetmit thotë anëtarja e kryesisë së LSI-së.

 

Sipas Silva Cakës, hetimet do të nxjerrin të tjerë bashkëpunëtorë, pa e përjashtuar mundësinë e të qenit edhe nga e djathta.

 

SILVA CAKA

ANETARE E KRYESISE LSI

“Paditë i kanë të gjitha emrat. Hetimet, nëse do të zhvillohen në mënyrën e duhur, do t’i nxjerrin të gjitha emrat, si majtas dhe djathtas.”

 

Si forcë politike, në siglën e të cilës Lefter Koka u bë dy herë deputet dhe Ministër i Mjedisit në mandatin e parë qeverisës së Edi Ramës, LSI nuk sheh asnjë përgjegjësi politike.

 

SILVA CAKA

ANETARE E KRYESISE LSI

“Në kohën që këto procedura firmoseshin nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Petrit Vasili i bëri Lefter Kokës që të ndalonte procedurën që kishte nisur, kjo nuk u realizua, dhe besoj që këtu del e gjithë pikëpyetja pse Lefter Koka u largua nga LSI, pse nuk e dogji mandatin, pse kandidoi përsëri nga PS. Përgjegjësia, qoftë morale, qoftë politike nga LSI, në këtë rast, është zero.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *