Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, falenderoi qytetarët që iu bashkuan protestës se 12 nëntorit, duke e konsideruar tubimin para selisë së qeverisë si fillimin e betejës kundër mazhorancës socialiste.

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

“Protesta jone nuk ndalet më deri në përmbysjen e sistemit monist, derisa shqiptarët të votojnë të lirë si qytetetarët europianë.”

 

Berisha shpjegoi se opozita është ngritur në protestë kundër një mazhoranca, e cila zotëron të gjithë pushtetet në vend e kundër një qeverie e cila sipas tij është e korruptuar, duke e ilustruar këtë akuzë me çështjen e inceneratoreve dhe portin e Durrësit.

 

“Vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë me një sipërmarrje, shumë shpejt do njihni, me dokumenta falso, 60% të aksionerëve janë thjehst Edi Rama, Lulëzim Brava dhe mafiozë rreth tyre.”

 

Por, akuzat e Berishës për bashkëpunim mes kryeministrit Rama dhe ish-kreut të PD, Basha, nuk u kufizuan vetëm tek porti i Durrësit, ato përfshinë edhe betejën ligjore brenda Partisë Demokratike për logon dhe vulën.

 

“Edi Rama kërkon asgjesimin e pluralizmit, kërkon të marrë flamurin e PD dhe tjua varë në qafë vasalëve të tij, me qëllimin e vetëm: të hakmerret si bir xhelati që është dhe nip xhelati, për përmbysjen që kjo parti u bëri etërve të tij. Shqiptarët janë sot më në këmbë se kurrë.”

 

Por këto akuza të kreut të PD, Berisha, sollën reagimin e parë të Lulzim Bashës prej marsit kur ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Në një postim në rrjetin social twitter, Basha akuzoi Berishën se ndan me kryeministrin Rama koncesionet, kullat dhe oligarkët.

 

“Sa herë do të fshehë diçka, “non grata” hap thesin e mashtrimeve dhe shpifjeve. Trekëndëshi i Bermudës është i pandarë në korrupsion, lidhje me krimin dhe minim të demokracisë” – deklaroi Lulzim Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *