Me tone të ashpra, presidenti Ilir Meta iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mbrojnë lirinë e tyre. Duke folur për përleshjet fizike mes militantëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Elbasan, kreu i shtetit fajësoi ata që janë në pushtet.
“Ju doni që të reagojë Presidenti pas zgjedhjeve të bëra nga grupi i Dibrës dhe Shijakut? Jo, do të reagoj shumë më përpara. I kam të skeduar të gjithë ata që shkaktuar përplasjen aty. Por nuk po bëj emra publikë tani duke qenë se janë nxehur shumë njerëz dhe situata është pak e agravuar. Presidenti shqetësohet sepse di me vepra të tilla të dhunshme. Kur shikoj që kryeministri bën akte të dhunshme ndaj gazetarëve, bullizëm ndaj opozitës. Kush e ka fajin që përplasen ata në Elbasan sigurisht që ai që ka edhe pushtetim edhe Bashkinë. Ndërsa analistëve të paguar që u aka dhënë lali Eri nga 40 shtëpi, mos prisni president perfekt në këtë situatë. Populli të bëhet gati për të mbrojtur lirinë e tij. Aty është edhe e drejta e pronës që të mos të ta marrin e të mos thonë do vijë sheiku këtej e andej. Si mund të jetë i mbrojtur një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë? Si? Këto shikoni ju, jo tonin e Presidentit, Presidenti nuk ka dalë këtu për top-model. Qytetarët t’i thërrasin mendjes.”
Sipas tij, mazhoranca po tenton të minojë pluralizmin politik në vend.
Përballë Presidenti dhe popullit, Meta theksoi se ndodhet një bandë ndërkombëtare dhe një lokale që pastron paratë e Ndraghetës.
“Po janë dy institucione garantë është Presidenti i Republikës si simbol i unitetit dhe kushtetutës, e cila bazohet në pluralizmin politik dhe jo në partinë shtet dhe i dyti është populli i Shqipërisë pa dallim i djathtë dhe i majtë dhe përballë nesh është një bandë, një bandë ndërkombëtare, është dhe një bandë lokale që ka marrë përsipër të pastrojë paratë e Ndraghetës dhe gjithë mafies ndërkombëtare duke shtypur dhe duke dhunuar popullin e Shqipërisë dhe sa herë ta ftojnë Presidentin në beteja aty do ta kenë po me gjithë popullin e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të gjithëve të reflektojnë para se të jetë vonë”, deklaroi Meta.





