Pompeo: SHBA veprime konkrete për reformimin e institucioneve globale

Sekretari amerikan i Shetit Mike Pompeo vuri në pikëpyetje rendin e tanishëm botëror, ku ka theksuar ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara po marrin veprime konkrete për reformimin e institucioneve globale.
Në një takim të zhvilluar nga Fondi Gjerman Marshall në Bruksel, Pompeo është shprehur se Kina, Irani, Rusia dhe vende të tjera kanë shkelur traktate dhe marrëveshje shumëpalëshe, duke shtuar se SHBA, nuk kanë për t’i pranuar më këto shkelje. Ai fajësoi mungesën e udhëheqjes amerikane dhe europiane në çështjet botërore gjatë 30 viteve të fundit .
Gjithashtu në fjalën e tij sekretari amerikan i shtetit ka thënë se Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Bashkimi Afrikan dhe Banka Botërore kanë nevojë për reforma.
Ndër të tjera ai la të kuptohet se Organizata Botërore e Tregtisë nuk është duke ndjekur rregullat e veta në rastin e Kinës. Rusia, sipas tij po shkel traktatet kryesore të kontrollit të armëve, ndërsa Irani nuk po përfill Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kina, Irani dhe Rusia i kanë mohuar këto akuza, të ngritura shpesh nga Shtetet e Bashkuara.
“Kur shkelen traktatet, shkelësit e tyre duhen konfrontuar dhe traktatet duhen rregulluar, ose prej tyre duhet hequr dorë”.
Ndërkohë aleatë dhe kundërshtarë e kanë akuzuar administratën Trump për sulme ndaj rendit botëror, përmes qëndrimeve të njëanshme ndaj disa çështjeve, si marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Por zoti Pompeo i hodhi poshtë këto kritika, duke thënë se administrata Trump do ta rikthejë udhëheqjen botërore, duke i ekspozuar vendet që kanë shfrytëzuar dobësitë e institucioneve globale.




