Policia përgënjeshtron lajmet për dorëheqjet masive dhe sqaron mesazhet kërcënuese ndaj pedagogëve

Policia e Shtetit ka reaguar pas raportimeve se disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe intimiduese në emër të institucionit, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në tubime.
Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, sqaroi se mesazhet nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas Nushit, mesazhet pretendohet se u bëjnë me dije mësuesve dhe pedagogëve se janë filmuar nga policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.
“Gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.
Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia.
Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë.
Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq”, tha Nushi.
Ai nënvizoi se në të gjitha njoftimet dhe deklaratat publike të përfaqësuesve të policisë është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet, ndërsa pretendimet e kundërta i cilësoi të pavërteta dhe dashakeqe.
Në të njëjtën deklaratë, Policia e Shtetit hodhi poshtë edhe lajmet për dorëheqje masive nga radhët e uniformave blu.
Nushi gjithashtu deklaroi se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimeve.
“Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.
Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit”, tha Nushi.
Në përfundim, Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm ndaj informacioneve të rreme, duke theksuar se institucioni mbetet në shërbim të qytetarëve për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave të tyre.




