Qindra oficerë policie kontrolluan pronat e anëtarëve dhe ndjekësve të Hamasit në Gjermani të enjten në mëngjes, pas një ndalimi zyrtar të çdo veprimtarie nga ose në mbështetje të grupit militant.

 

Qeveria gjermane ndaloi me 2 nëntor dhe shpërndau grupin Samidoun, i cili qëndronte pas një kremtimi në Berlin të sulmit të Hamasit në Izrael me 7 tetor.

 

Shërbimi gjerman i zbulimit vlerëson se Hamasi ka rreth 450 anëtarë në vend. Aktivitetet e tyre shtrihen nga shprehja e simpatisë dhe veprimtaritë propagandistike deri te veprimtaritë financuese dhe mbledhja e fondeve për të forcuar organizatën jashtë vendit.

 

“Ne po vazhdojmë operacionin tonë kundër islamikëve radikalë”, tha ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser. “Duke ndaluar Hamasin dhe grupin Samidoun në Gjermani, ne kemi dërguar një sinjal të qartë se nuk do të tolerojmë asnjë madhërim apo mbështetje të terrorit barbar të Hamasit kundër Izraelit”.

 

Bastisjet, të cilat kryesisht u zhvilluan në Berlin, kishin për qëllim të zbatonin ndalesat dhe të hetonin më tej grupet, tha në një deklaratë ministria e Brendshme gjermane.

 

Gjithsej 15 prona u kontrolluan në Berlin dhe në shtetet e Saksonisë së Poshtme, North Rhine-Westphalia dhe Schleswig-Holstein.

 

Vetëm në Berlin, më shumë se 300 oficerë policie kryen kontrolle në 11 vende për të sekuestruar prova dhe pasuri. Shtatë kontrolle ishin të lidhura me Hamasin dhe katër me grupin Samidoun. Kontrollet u kryen kryesisht në shtëpitë e mbështetësve dhe në mjediset e një shoqate palestineze, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.

 

Gjermania ka luftuar grupet që mbështesin antisemitizmin pas luftës më të fundit Izrael-Hamas.

 

Të martën, policia bastisi shtëpitë e 17 personave në shtetin jugor gjerman të Bavarisë, nën akuzat për përhapje të gjuhës së urrejtjes antisemitike dhe kërcënimeve në internet që vënë në shënjestër hebrenjtë. Më 16 nëntor, policia gjermane bastisi 54 zona në të gjithë vendin në një hetim ndaj një organizate me seli në Hamburg, e dyshuar për promovimin e ideologjisë së udhëheqjes iraniane dhe mbështetjen e mundshme të veprimtarive të Hezbollahut në Gjermani.

 

“Ne jemi duke e vëzhguar nga afër skenën islamike”, tha ministrja Faeser. “Islamikët dhe antisemitikët nuk mund dhe nuk duhet të ndjehen të sigurt askund këtu”. Ajo tha se anëtarët dhe mbështetësit e Hamasit në Gjermani janë gjithashtu të përkushtuar për të ndikuar në ligjërimin politik dhe social në vend.

 

Hamasi është zotuar të shkatërrojë Izraelin dhe është përgjegjës për shumë sulme vetëvrasëse dhe sulme të tjera vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Pas ndërhyrjes së grupit në Izrael në tetor, Izraeli u zotua ta zhdukë Hamasin.

 

Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Hamasin një grup terrorist në vitin 1997. Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore gjithashtu e konsiderojnë atë një organizatë terroriste./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *