Policia e Kosovës ndalon Aleksandar Jabllanoviç

Policia e Kosovës ka ndaluar dhe shoqëruar në komisariatin e Leposaviçit, Aleksandar Jabllanoviçin, aktualisht kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, parti kjo që garon në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.
Arrestimi i Jabllanoviçit ka ardhur si pasojë e një sherri. Pas kontrollit të policisë atij i është gjetur një armë zjarri si dhe është konfirmuar se ishte nën ndikimin e alkoolit.
Jabllanoviç është shoqëruar në polici bashkë me bashkëshorten e tij, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” zëvendëskomandanti i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti.
Ai është një prej themeluesve të Listës Serbe, ndërsa në zgjedhjet e 11 qershorit garon me një subjekt të ri politik, me emrin Partia e Serbëve të Kosovës.




