Subscribe

Policia e Shtetit dha të tjera detaje nga plagosja e të shumërkërkuarit të Lushnjes, Orgest Bilbili. Sipas njoftimit për mediat, në zonën e “Xhamllikut” një efektiv i forcave “Shqiponja” është përballur rastësisht me Orgest Bilbilin, në kuadër të kontrolleve për respektimin e masave të COVID-19.

 

Polici i ka kërkuar Bilbilit mjetin e identifikimit, por në këtë moment, duke qenë se ishte i shpallur në kërkim, ai ka kundërshtuar dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

 

Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

 

Punonjësi i policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por duke qenë se ai ka refuzuar, efektivi ka qëlluar një herë në ajër dhe më pas e ka plagosur Orgest Bilbilin.

 

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

 

Orgest Bilbili është i dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

 

Momentalisht ai ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

 

Sherri ndodhi mesditën e kësaj të premteje në zonën e Xhamllikut. Bilbili është i dyshuar dhe i akuzuar për një sërë vrasjesh dhe ngjarjesh të tjera të rënda në Lushnje.

 

Ai është në konflikt me anëtarët e Bandës së Lushnjes. Bashkë me Lart Haxhinë, Orgest Bilbili akuzohet për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në 2017 në Lushnje, ku në atentantin ndaj nipit të Aldo Bares, u vranë shokët e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *