Subscribe

Vrasja e aktivistit politik Pjerin Xhuvani, 4 ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, mund të ishte parandaluar nga dy zyrtarët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.

 

Hetimet e prokurorisë zbuluan se ata ishin të parët në vendin e ngjarjes, para se të ndodhte krimi. Dy ish-nëndrejtorët ishin lajmëruar nga militantë të opozitës, të cilët u kishin thënë se kishin ndaluar një person i cili dyshohej se po merrej me blerjen e votave.

 

Mungesa e reagimit në kohë të dy zyrtarëve të lartë bëri që në mbështetje të personit të bllokuar në makinë të vinin disa persona të tjerë, mes tyre dhe Pjerin Xhuvani. Nxjerrja e armëve jo vetëm që nuk e angazhoi policinë, por përkundrazi, dëshmitarët pohuan se dy ofidcerët u larguan me vrap.

 

Hetimet që nisën më pas, u penguan pikërisht për shkak të dëshmisë se rreme që dhanë Albert Nushi dhe Nikollaq Papa. Në bashkëpunim me njëri tjetrin si dhe me disa policë të thjeshtë, ata nuk treguan rolin e tyre të plotë në krim.

 

Për pasojë, një ditë më parë ata u vunë në arrest shtëpie, të akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe deklarim të rremë.

 

Një vit më parë, Pjerin Xhuvani u qëllua për vdekje nga ish-punonjësi i forcave speciale Arbër Paplekaj, i cili shoqëronte drejtuesin politik të Partisë Demokratike në Elbasan, Gazmend Bardhi.

 

Paplekaj e pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në polici, por në gjykatë ai tha se kishte qëlluar për vetëmbrojtje, pasi ishte sulmuar me armë nga persona që i rrezikuan jetën atij si dhe të tjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *