Pogradeci ka zgjatur sezonin turistik këtë vit, pasi ende vijojnë të jenë të pranishëm turistët vendas e të huaj.
Sipas njësive hoteliere muaji Shtator ka qenë i kënaqshëm, ndërsa kërkesa ka edhe për muajt Tetor – Nëntor, kryesisht nga grupe të huaja.
“Gjatë sezonit të shtatorit kemi rezervime nga turistë të huaj, në fundjavë kemi vendas. Vijnë nga Irlanda, Italia, Gjermania e Spanja. Klientët vendas nga Tirana Durrësi. Kemi rezervime për tetorin e nëntorin”, tha Gloria Dumbo, menaxhere hoteli.
“Ne nuk kemi ndjerë vështirësi për periudhën jashtë sezonit. Jemi ndjerë komod. Nga Gjermania, kompani greke që sjell turistë gjermane. Këtë vit në mos gaboj grupet e fundit janë në fund tetori”, u shpreh Ilir Gazi.
Turistët gjermane shprehen të kënaqur me mikpritjen që u është bërë në Pogradec, ndërsa tregojnë se e preferuara e tyre është nata tradicionale shqiptare
“Është hera ime e parë në Shqipëri. Gjëja që më pëlqen më tepër është vëmendja, na trajtoni mire, mikpritje e jashtëzakonshme”, tha një turiste.
“Nata tradicionale shqiptare është shumë e bukur. Kostumet tuaja, këngët. Sidomos ushqimi këtu është i mrekullueshëm”, u shpreh një tjetër.
Zyrtarisht, nga bashkia Pogradec bëhet me dije se numri i atyre që janë akomoduar në 6 muajt e parë në qytetin liqenor jo vetëm që është më i lartë se viti i kaluar por është rritur edhe koha e qëndrimit.
“Për sa i përket sezonit turistik veror në Pogradec, ka qenë i mbarë duke krahasuar me viti e kaluar numri ka qenë në rritje. Nga kontaktet që kemi patur me strukturat akomoduese rezulton që është i mbarë. Në 6 mujorin kanë qenë rreth 70 mijë, këtë vit 75 mijë”, deklaroi Loridela Beqari, përgjegjëse e turizmit.
Një tjetër fluks turistësh pritet të sjellin festat e Nëntorit dhe ato të fundvitit, ndërsa çmimet vijojnë të mos pësojnë rritje në Pogradec.
/vizionplus.tv





