Shërbimet e Policisë së Shkodrës kanë finalizuar operacionin e koduar “By pass”, duke goditur veprimtarinë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë një 28 vjeçar, i dënuar më parë për vjedhje.
Ai po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person. Automjeti tip “Audi” ishte drejtuar pa leje nga 28-vjeçari.
Emigrantët u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
NJOFTIMI:
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm nga Gjirokastra drejt Shkodrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “By pass”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në afërsi të rrethrrotullimit “5 Heronjtë e Vigut”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin duke drejtuar, pa leje drejtimi, një automjet tip “Audi”, me të cilin po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se 28-vjeçari i arrestuar iu kishte premtuar transportimin nga Gjirokastra në drejtim të kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person, 4 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





