Një incident i rëndë ka ndodhur në koncertin që këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka mbajtur të dielën në Nju Jork.

 

Teksa performonte në skenën e tejmbushur pasi të gjitha biletat ishin shitur, Bebe u godit me një celular në fytyrë nga një prej të pranishmëve në turmë.

 

Siç shihet në një video të publikuar në Twitter, artistja e veshur me ngjyrë rozë po i drejtohej pjesës së përparme të skenës duke bërë shqiponjën, në momentin kur celulari fluturon me shpejtësi në drejtim të saj.

 

Bebe goditet drejt e në fytyrë dhe pas një momenti tronditjeje, ajo bie në gjunjë me kokën ulur, ndërsa anëtarë të shumtë të stafit nxitojnë për ta ndihmuar.

 

Videoja u shpërnda nga një numër i të pranishmëve të koncertit në Big Apple të dielën, ndërsa qarkulloi më pas edhe një video e Bebes duke u ndihmuar të dilte nga skena pas incidentit të rëndë.

 

“Kjo është Bebe Rexha që po largohet me nxitim nga vendi i koncertit këtu në NYC, pasi dikush hodhi një telefon dhe e goditi në fytyrë. Ne të gjithë po kalonim mirë dhe Bebe po ashtu. Kush do ta bënte diçka të tillë??? Shpresojmë të jesh mirë Bebe Rexha”, shkruhet në videon e postuar në Twitter.

 

Ndërkohë, nëna e Bebe Rexhës zbulon se asaj iu desh të bënte tri qepje pasi dikush nga audienca e goditi me një telefon në kokë gjatë koncertit të saj.

 

Sakaq, një numër i lartë i fansave të Rexhës shkuan në Twitter për të shprehur sulmin e pakuptimtë ndaj këngëtares.

 

“Bebe është fjalë për fjalë një nga njerëzit më të ëmbël dhe më pa probleme në industrinë e muzikës, ajo nuk e meriton këtë… disa prej jush me të vërtetë duhet ta lini të qetë”, shkroi një fans.

 

Koncerti i së dielës në The Rooftop në Pier 17 ishte pjesë e turneut të këngëtares dhe kauntatores 33-vjeçare, të titulluar Best F’n Night Of My Life./Living/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *