Dosja e bujshme “Plumbi i Artë” vijon që të nxjerrë në pah skena se si grupet rivale eliminonin njëri-tjetrin, duke mos kursyer as familjarët e tyre.
Në seancën e kësaj të martë, ka dëshmuar motra e Ervis Dedjas, njëkohësisht vajza e Fatmira Dedas. Ervis Deda u ekzekutua në vitin 2012, ndërsa nëna e tij u vra mizorisht një vit më pas në një parkim automjetesh.
Referuar dosjes së SPAK në këtë krim janë të përfshirë Festim Qoli, i cili ka qënë më para bashkëpunëtor në disa krime me vetë Ervis Dedjan. Ndërkohë në vrasjen nënë e bir janë të dyshuar si të përfshirë dhe Talo Çela dhe Nuredin Dumani.
Në dëshminë e saj, e reja ka thënë se nuk ka patur lidhje të afërta me nënën dhe vëllain e saj.
Ajo shtoi se nëse i vëllai do të ishte gjallë, krimi nuk do të guxonte që të prekte nënën e saj me dorë. Ndër të tjera ajo ka thënë se është takuar disa herë me Festim Qolin, pas vrasjes së familjarëve të saj për shitjen e disa aksioneve të një biznesi.
Sa i takon ekzekutimeve, ajo u shpreh se nuk është interesuar për shkak se nuk ka patur lidhje të afërta me të vëllanë dhe të ëmën, ndërkohë që çështjen e kishte lënë në dorën e drejtësisë.
Dëshmia e plotë
Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, vëllai jetonte në Durrës, ndërsa unë në Kavajë. “Loshja” quhet vëllai im, emrin Elvis e ka të ndryshuar. Nuk kam pasur dijeni se me çfarë është marrë vëllai im, që nga viti 1997 deri në vitin 2012. Vëllai ka qenë emigrant që i vogël, ka pas jetuar në Kavajë. Vëllai im ka emigruar në Itali për herë të parë dhe pastaj nuk e di ca ndodhi me Loshen. Pastaj ka qenë në Belgjikë dhe Holandë dhe u kthye në Shqipëri në vitin 2008.
Vdekjen e vëllait e mësova kur isha në kurs. Më bënë një telefonatë rreth orës 22.00 dhe më thanë që Loshja kshu kshu. Pastaj kam shkuar në Gjermani. Kur mora vesh për vëllain kam patur një telefonatë me mamin. E shkurtër ishte telefonata. Unë i kam thënë nuk kam qenë mirë për të qenë pjesë e varrimit, sepse nuk njihja askënd. Mora kohë me veten time. Pastaj kur u ktheva nga Gjermania në vitin 2013 mora vesh ngjarjen për Mamin. Unë në ’97 shkëputa marrëdhëniet me vëllain, jo per vëllain sepse ai është gjaku im po ashtu rrodhën gjërat.
Po të ishte gjallë Loshja nuk do kishin shans të preknin nënën time me dorë. Loshja ka pas marrëdhënie të ngushtë me mamin. Është situatë dramatike, nuk kam fjalë. Me nënën nuk kam patur fare komunikim kur vdiq vëllai. Mami im është vrarë për 40 mijë euro. Besnik Dedjan e njoh si dajën e Loshes, sepse unë nuk kam patur marrëdhënie me njerëzit e mamit. Jam takuar disa herë Festim Qolin, pas vrasjes së nënës time.
Qëllimi i takimit ka qenë shitja e disa aksioneve të një biznesi. Vlera që përfitova nga ky truall ishte 45 mijë euro. Nuk jam pronare e asnjë prone sot. Daja nuk më ka thenë që i dyshuar si vrasës ka qenë Festim Qoli. Nga nëna kam trashëguar një banesë në Durrës, të cilën me pas e kam shitur. Nuk jam interesuar në prokurori për vrasjen e mamit dhe të vëllait, thjesht ja kam lënë në dorë drejtësi që të zbardhë veprimet. Unë nuk kam jetuar as me mamin as me anëtarë të fisit të mamit, nuk e kam idenë nëse mami ka kërkuar informacion për vrasjen e vëllait.





