Maturantët po plotësojnë formularët A1 dhe A1Z, një hap i rëndësishëm për vijimin e studimeve të tyre në universitet.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, thekson se maturantët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ndjekjen e kësaj procedure, pasi universitetet kanë kriteret dhe lëndët e tyre specifike, ndërsa sipas tij, pritet që shumica e maturantëve të përqendrohen te të njëjtat preferenca studimi.
“Theksin formulari A1 e ka përtej provimeve të detyruara që nuk kanë alternativë,janë provimet me zgjedhje. Vëmendja e maturantëve duhet të jetë e fokusuar te degët që pretendojnë të studiojnë. Nëse një program ka lëndë me zgjedhje që mund të jetë matematika, fizika, kimia, degë të shkencave ekzakte, atëherë këto lendë duhet të jenë pjesë edhe e përzgjedhjes së formularit A1, në mënyrë që të ketë mundësi ti japë në maturë shtetërore dhe të ketë një notë të mirë, që do të ndikojë edhe në renditjen e tij në pikëzimin që do të bëjë universiteti gjatë procesit të aplikimit dhe rregjistrimit.
Kërkesat më të mëdha janë kryesisht degët mjekësore, po edhe degët inxhinierike, duke parë që kemi një rritje ndërtimesh dhe veprave të mëdha infrastrukturore, atëherë kërkesa për inxhinierë ose specialist apo profesionistë të fushave është rritur edhe në tregun vendas. Është edhe një treg që kryesisht në europë ka një rritje, sidomos në degën e mjekësisë. Përtej kësaj janë edhe degët e teknologjisë së informacionit”, tha Xhelaj.
Informacionet për secilin universitet mund të aksesohen në portalin U‑Albania, në mënyrë që maturantët të kenë një pasqyrë më të qartë mbi kriteret dhe kërkesat e institucioneve të arsimit të lartë.
“Është mirë që maturantët të informohen përpara se të plotësojnë formularin A1. Përtej ndihmës që japin edhe mësuesit edhe në vetë portalin U-Albania, i cili është i aksesueshëm edhe ku universitetet gjatë muajit janar- shkurt, kanë bërë aktualizimin e të gjithë kritereve hyrëse për cdo program studimi. Këshilla e vetme është që të informohen për kriteret hyrëse në universitet dhe pas kritereve hyrëse të shikojnë edhe kriteret e veçanta”, u shpreh Xhelaj.
Xhelaj vë theksin gjithashtu në nevojën për këshillim karriere më të orientuar, sidomos drejt degëve që prej vitesh përballen me mungesë studentësh, me qëllim shmangien e mbylljes së disa programeve të studimit./vizionplus.tv





