Gjatë këtij sezoni veror, me ndryshimet ligjore, në çdo 1 kilometër vijë bregdetare, 300 metra do të jenë publike. Parcelat publike të plazhit janë lënë në menaxhimin e bashkive dhe në Velipojë është vendosur që organizimi të bëhet i ndarë në dy pjesë: plazh publik me pagesë, ku mund të gjesh edhe shezlongë apo e gjithë hapësira e lirë për pushuesit.
“Me ligjin e ri sot kemi 3 mundësi zgjedhjeje për pushuesit që duan të pushojnë në plazhin e Velipojës, e para në shezlongët e subjekteve private, e dyta në shezlongët që do të ofrohen nga bashkia me çmime konkurruese dhe të përballueshme për të gjthë e treta do të jetë plazh i lirë, publik, pa pagesë. Stacionet e plazhit që nuk janë marrë nga hoteleria do të kalojnë në administrimin e bashkisë, po punohet me intensitet të lartë që të bëhet mobilimi i tyre, të kenë mundësi pushuesit që të kenë shezlongë, çadra në këmbim të një pagese. Së shpejti do të shpallim edhe një dëgjesë me publikun, po diskutojmë për një çmim që varion nga 3.500-5.500 lekë, shkon diku te 4000 lekë. Sipërfaqet që do të administrohen nga bashkia, pa prekur sipërfaqet publike pa pagesë, do të jenë në varësi të kapacitetit finaniar që kemi”, tha Bekim Mema, drejtor për zhvillimin ekonomik, bashkia Shkodër.
Në vijën bregdetare të Durrësit po ashtu po vijon puna në terren nga ana e bashkisë për të përcaktuar cilat do të jenë parcela publike, që do të jenë të dukshme me sinjalistikë.
“Jemi në një zgjerim të hapësirës publike të plazhit, në 1000 metra plazhe private, do të duhet të jenë 300 metër plazhe publike. Do të duhet të ripërditësohen të gjitha këto parcela plazhi dhe të bëhen sa më të aksesueshme. Është një punë e nisur prej muajsh, presim edhe vendimin e këshillit bashkiak edhe për vendbazimet e mjeteve motorike të ujit. Ftoj të gjithë qytetarët që do të pushojnë në Durrës, që do të shfrytëzojnë hapësirat publike të plazhit, por duhet që sikundër e gjejnë në mëngjes plazhin e pastër, të rregullt, të lirë, ashtu duhet ta lënë edhe kur largohen”, tha Oltsen Gripshi, koordinator i Task-Forcës, prefektura e Durrësit.
Paralelisht, bashkitë po komunikojnë me personat e licencuar si vrojtues plazhi, me qëllim që plazhet publike të garantojnë sigurinë për pushuesit./vizionplus.tv





