Presidenti Joe Biden, ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të kryejë sulme hakmarrëse ajrore kundër grupeve të milicive që mbështeten nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën në një sulm me dron në veri të Irakut.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha se një nga ushtarët ka pësuar lëndime kritike gjatë sulmit që ndodhi të hënën, më 25 dhjetor. Milicia Kataib Hezbollah, që mbështetet nga Irani, dhe grupe të lidhura me të që janë pjesë e ombrellës së militantëve të mbështetur nga Teherani, morën përgjegjësinë për sulmin me dron.

Biden, i cili po kalon Krishtlindjen në Kamp David në Marilend, u njoftua për sulmin nga këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Pak pas sulmit të së hënës, presidenti amerikan urdhëroi Pentagonin dhe këshilltarët e tjerë të sigurisë kombëtare që të përgatisin opsione për përgjigje ndaj sulmit në një bazë ajrore që përdoret nga trupat amerikane në Erbil.

Pasi zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare u konsultuan për opsionet, disa orë më pas, Biden zhvilloi një bisedë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Biden vendosi që ushtria amerikane të sulmonte tri lokacione të përdorura nga Kataib Hezbollah dhe grupet e lidhura me të, tha një zyrtar që është në dijeni për çështjen, por i cili foli në kushte anonimiteti, raporton AP.

Sulmet ajrore amerikane u kryen në orën 04:45 të martën në Irak, më pas se 13 orë pas sulmit ndaj personelit amerikan. Sipas Komandës Qendrore amerikane, sulmet hakmarrëse në tri lokacione “shkatërruan ndërtesat e shënjestruara dhe ka të ngjarë që kanë vrarë një numër të militantëve të Kataib Hezbollahut”.

“Presidenti vendosi prioritet mbrojtjen e personelit amerikan”, tha zëdhënësja Watson. “SHBA-ja do të veprojë me kohë dhe mënyrën që zgjedh nëse sulme të tilla vazhdojnë”.

Sulmi i fundit vjen pas muajsh të përshkallëzimit të kërcënimeve dhe veprimeve ndaj trupave amerikane në rajon, që kur Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – kreu sulme në Izrael më 7 tetor, duke nxitur luftën shkatërruese në Gazë.

Që nga 7 tetori, milicitë e mbështetura nga Irani, kanë kryer dhjetëra sulme ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri.

Muajin e kaluar, një avion luftarak amerikan goditi një qendër komanduese të Kataib Hezbollahut, pasi forcat amerikane kishin kryer një sulm me raketa balistike në bazën Al-Assad në perëndim të Irakut. Milicitë e mbështetura nga Irani kishin kryer një sulm me dron në po të njëjtën bazë në tetor.

SHBA-ja po ashtu ka fajësuar Iranin, që financon dhe trajnon Hamasin, për sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit kundër anijeve komerciale dhe ushtarake në Detin e Kuq./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *