E diel, 27 Shtator 2026 Eat And Traditë deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Gjirokastra e preferuar në vjeshtë, turistët të impresionuar nga qyteti i gurtë

Qyteti i Gjirokastrës dhe rrethinat në këtë sezon vjeshte vazhdojnë të mirëpresin një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj, pas një  sezoni veror të  suksesshëm.  Përfaqësuesit e bizneseve turistike shprehen se rreth 60% e vizitorëve vijnë me grupe të organizuara ndërsa pjesa tjetër udhëtojnë si familje apo individë. Fluksi i turistëve, duke përfshirë edhe ata vendas gjatë fundjavave, ka bërë që tashmë të jenë të prenotuara pjesa më e madhe e kapaciteteve hoteliere.

Turistët kryesisht të huaj në këtë periudhë vjeshte preferojnë të vizitojnë monumentet e kulturës si dhe vlerat historike dhe arkitektonike të qytetit të gurtë.

 “Vij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është hera e parë që vizitoj Shqipërinë, fillimisht ishim në Sarandë ndërsa po ndalemi edhe në Gjirokastër,është një vend i bukur tani në stinën e vjeshtës, vitin tjetër do të rikthehem për pushimet e verës”

 “Është vizita ime e parë në Shqipëri, vij nga Gjermania, mendoj se është vend i bukur, edhe ky qytet me njerëz mikpritës, do të rikthehem sërish këtu”

 “Vendosa të vizitoj Shqipërinë sepse është një vend i njohur në Sllovaki. Kam 10 ditë që udhëtoj në qytete të nddyshme përfshirë edhe Gjirokastrën. Më pëlqen të fotografoj dhe të informohem për Shqipërinë, jam i surprizuar është një vend tërheqës dhe i bukur”

Përgjatë këtij viti qyteti i gurtë ka mirëpritur rreth 350 mijë turistë pjesa më e madhe e të cilëve janë regjistruar gjatë periudhës së verës. Tashmë sektori i turizmit është kthyer në promotorin e ekonomisë lokale për rajonin e Gjirokastrës.

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.