Policia ka arrestuar një 25-vjeçar pasi plagosi rëndë me thikë një 26-vjeçar mbrëmjen e së premtes në Lushnjë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes tyre.
Pas krimit, agjentët kanë vënë në pranga autorin e dyshuar, Erbion Çrraga, 25 vjeç. Ai akuzohet për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta.
Ndërsa i plagosuri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 25 vjeç, banues në Stan Karbunarë.
Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se 25-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) dhe i ka shkaktuar dëmtime të rënda, shtetasit A. Y., 26 vjeç, banues në Karbunarë , i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv





