Një 15-vjeçar u plagos rëndë, pasi u godit me thikë të martën, gjatë një konflikti mes disa adoleshentëve, në Durrës. Përplasja mes tyre erdhi për shkak të një komenti në rrjetet sociale.
Pas mësimit, të dy nxënësit u takuan bashkë me disa shokë për tu sqaruar. Por debati degjeneroi në përdorim të mjeteve të forta dhe të thikave, duke lënë të plagosur rëndë 15-vjeçarin.
Në konflikt u përfshinë 4 të mitur. Ata zbritën nga një makinë dhe të gjithë mbanin shufra hekuri dhe shkopinj në duar. Dhuna e tyre është ndaluar vetëm pas ndërhyrjes së një qytetari, i cili u ka bërtitur adoleshentëve se ishte i policisë.
Sipas spitalit të Durrësit 15-vjeçari mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta në zemër dhe stomak.
Pas një ndërhyrje të vështirë, mituri tanimë ndodhet në gjendje të stabilizuar në Reanimacion.
Ndërkohë, autori i krimit është arrestuar në flagrancë, ndërsa është sekuestruar edhe mjetin prerës.





